Autoriteti i Aviacionit Civil (ACA) ka njoftuar se Autoriteti Italian iAviacionit Civil (ENAC), ka nxjerrë aktin e pezullimit të licencës së kompanisë ajrore “Ernest”. Pezullimi do të hyj në fuqi më 13 Janar 2020, me qëllim e vetëm që t’i jap kohë kompanisë për të informuar pasagjerët për anullimin e fluturimeve apo për t’i mbrojtur ata që e kanë prerë një biletë udhëtimi.
Sipas vendimit të ENAC, edhe pse licenca e kompanisë mbetet në fuqi deri më 13 janar 2020, duke marrë parasysh festat në Shqipëri dhe Ukrainë, “Ernest” nuk do mund të nxjerrë më bileta në shitje. ENAC gjithashtu vlerëson se lejimi i licencës deri në 13 Janar nuk rrezikon sigurinë në operim të kompanisë.
Gjatë kësaj kohe, nëse transportuesi siguron elementët e garancisë të kërkuara nga Rregullorja (KE) nr. 1008/2008, që përmban rregulla të përbashkëta për ofrimin e shërbimeve ajrore në Komunitetin Evropian dhe këto elementë vlerësohen në mënyrë të favorshme nga ENAC, masa e pezullimit mund të revokohet.
Nga ana e tij, Autoriteti i Avicionit Civil Shqiptar ka vendosur menjëherë kontaktin me autoritetin italian, për të marrë më shumë informacion për situatën e krijuar dhe për planin e kompanisë për mbrojtjen e pasagjerëve që mund të preken.
AAC i bën apel të gjithë qytetarëve që mund të kenë prerë bileta me këtë kompani ajrore, që të konfirmojnë statusin e fluturimit të tyre me kompaninë ose agjencinë e biletës para ditës së fluturimit.
Ernest kishte 16% të tregut të fluturimeve në tetor
Sipas statistikave tw autoritetit tw Aviacionit Civil, Referuar të dhënave zyrtare të ardhura në Autoritetin e Aviacionit Civil nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, shifrat tregojnë një numër prej 271,589 pasagjerë të cilët kanë udhëtuar gjatë muajit Tetor për/nga TIA, nga të cilët 6,724 janë pasagjerë të fluturimeve Charter. Grafiku i mëposhtëm pasqyron më qartë fluksin e pasagjerëve që kanë udhëtuar përgjatë muajit Tetor 2019, të ndarë sipas kompanive ajrore në përqindje.
Bazuar në të dhënat e mësipërme, në muajin Tetor 2019 kompania Italiane “Blue Panorama” zotëron tregun me 17% te totalit dhe një numër prej 47,104 pasagjerë, pasuar ky numër nga Ernest Airlines me 16% të tregut dhe 49,504 pasagjerë. Air Albania zotëron tregun me 10% të totalit të pasagjerëve dhe një numër total prej 26,221 pasagjerë si dhe Albawings dhe Wizz Air secila kompania me 9%. Sikurse mund të shihet edhe në grafik, kompanitë që fluturojnë drejt Italisë, si Air Albania, Albawings, Blue Panorama, Ernest S.p.A, Alitalia, zotërojnë përqindjen më të madhe në tregun e transportit ajror për muajin Tetor 2019, duke zënë përafërsisht 60% të totalit. Krahasimisht me muajin Tetor të një viti më parë ku numrat konsistonin në 51%, shifrat janë rritur pasi kompania shqiptare “Air Albania” ka hyrë në treg me tre destinacione të reja drejt Italisë./monitor