Qeveria në seancën e saj të rregullt të mbajtur të shtunën e konfirmoi tekstin e Propozim-ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes Veriatlantike, të nënshkruar në Uashington më 4 prill të vitit 1949 dhe paralajmëroi se do ta dorëzojë në miratim deri tek Kuvendi, me çka hapet rruga për ratifikim të përkohshëm të Protokollit për anëtarësim të vendit në NATO nga ana e deputetëve para shpërbërjes së përbërjes së tanishme të deputetëve, njofton KOHA.
“Propozim-ligji për ratifikimin e Marrëveshjes Veriatlantike të vendit tonë me NATO-n, e cila do të jepet në miratim në Kuvendin e RMV-së, parashikohet të hyjë në fuqi me ditën e publikimit në ‘Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut’ pas çka do të deponohet në Uashington, pasi Spanja do ta ratifikojë Protokollin për inkuadrimin e vendit tonë në anëtarësimin e plotfuqishëm në Aleancë”, kumtoi pres-shërbimi qeveritar.
Kuvendi, në pajtim me marrëveshjen për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duhet të shpërbëhet më 11 shkurt, ndërsa tani për tani është e pasigurt nëse deri atëherë Spanja do ta ratifikojë Protokollin për anëtarësim në Parlamentin e saj, sepse në vend ende nuk ka marrëveshje për formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të nëntorit.
Në margjinat e Samitit të NATO-s në Londër, që u mbajt në fillim të muajit, kryeministri Zoran Zaev pati takim me kolegun e tij spanjoll Pedro Sançez, nga i cili mori premtim se Spanja shumë shpejtë do ta ratifikojë Protokollin për anëtarësimin e vendit në Aleancë, pas çka gjatë muajit të ardhshëm do ta depononte ratifikimin në Uashington. Spanja është e fundit nga anëtaret e NATO-s, e cila duhet ta ratifikojë Protokollin.
Për shkak të pasigurisë rreth formimit të Qeverisë së re spanjolle, ideja për ratifikim “të parakohshëm” ose “të kushtëzuar” e para e plasoi VMRO-DPMNE-ja, duke iu referuar përvojës së Malit të Zi.
Kjo ish-republikë jugosllave, dokumentet për anëtarësimin e saj në NATO i ratifikoi në muajin prill të vitit 2017, ndërsa Holanda dhe Spanja kanë kryer ratifikim të Protokollit për anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancë madje muajin e ardhshëm. Kryeministri Zaev një iniciativë të tillë e quajti “opsion që vlen të shqyrtohet”.
“Shtyrja eventuale nga Spanja, e cila nuk besoj se do të ndodh, e hap mundësinë të bëjmë ratifikim të kushtëzuar në vetë Parlamentin, i cili do të publikohet nga ana e presidentit të shtetit, nga ana e Parlamentit, menjëherë me ratifikimin në Parlamentin spanjoll. Këtu procedura është harmonizuar me selinë e NATO-s dhe këtë mund ta bëjmë, që në mënyrë dinjitoze, të ndershme dhe me krenari të jemi vendi i 30-të anëtar, i cili do ta bëjë ratifikimin. Dhe prandaj shkojmë seriozisht dhe të përgjegjshëm në pjesën e procedurave pa çfarë do kalkulime politike”, ka thënë Zaev.
Iniciativa ka hasur në mbështetje edhe nga Aleanca për Shqiptarët, e cila ka kërkuar që ratifikimi i Protokollit për anëtarësim në NATO të zbatohet që në sesionin plenar më 11 dhjetor.
“Sot është koha të parashtrojmë kërkesë deri tek Qeveria dhe deri tek të gjitha partitë politike se mbështetja e një iniciative të tillë nuk do të jetë rruga e parë, pasi që ka precedentë. Gjithashtu, ka pasur raste të ngjashme, siç është rasti me Malin e Zi”, ka thënë atëherë lideri i ASH-së, Zijadin Sela.
Por, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi deklaroi se ratifikimi me veprim të shtyrë nuk është i mundur dhe se nëse Spanja nuk e ratifikon Protokollin deri në shpërbërjen e Kuvendit, miratimi i Marrëveshjes Veriatlantike do të duhet ta bëjë përbërjen e ardhshme parlamentare.
Ai vlerësoi se Qeveria, e jo Kuvendi është kompetent për veprim për iniciativën e VMRO-DPMNE-së për dorëzimin para kohe të Propozim-ligjit për ratifikimin e marrëveshjes për NATO. “Duhet të ridërgohet deri tek organi kompetent për të cilin është problematika, në rastin konkret deri te Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, deklaroi atëherë Xhaferi.