“Kosova dhe Shqipëria janë aleatë të natyrshëm strategjikë, pasi kanë një qëllim, një aspiratë, një të ardhme, një gjuhë, një kulturë, një histori e mbi të gjitha edhe një orientim strategjik afatgjatë euro-atlantik. Kosova dhe Shqipëria kanë dhe do të kenë një udhëtim të përbashkët dhe ato do jenë gjithmonë përkrah njëra-tjetrës pa marrë parasysh orientimin politik të elitave drejtuese të shtetit shqiptar”, shprehet I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini në përfundim të misionit të tij tre vjeçar në krye të kësaj Ambasade.
Ukshini thekson se “këto vite pune në Ambasadën e Kosovës kanë qenë më të veçantat në jetën time. Por ishin vite të jashtëzakonshme edhe në shtetin shqiptar. Në karrierën time, nderi më i madh ka qenë të shërbej në Tiranë si shef i Ambasadës së Republikës së Kosovës dhe të promovoj marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Të jem i sinqertë, të jesh diplomat i Kosovës në Shqipëri pa dyshim dallon shumë nga të qenit diplomat kosovar kudo tjetër, për shkak të marrëdhënies unike mes vendeve tona, por edhe detyrimit e përpjekjes për të bërë shumë për integrimin e dyanshëm”.
“ Shqipëria çdo herë do të ketë vend të veçantë në zemrën time. Është e vërtetë se unë jam rritur në një familje, ku narracioni dhe dashuria për Shqipërinë është kultivuar në vazhdimësi brez pas brezi dhe ndihem me fat që pata mundësinë ta vazhdoj edhe vetë këtë herë në mënyrë institucionale, duke provuar të thellojmë së bashku marrëdhëniet midis të shteteve tona, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, të cilat janë shumë të veçanta, pasi janë më shumë se ato të zakonshmet midis dy shteteve”, shprehet ai.
Ai thekson se Kosova dhe populli i saj vlerëson përjetësisht kontributin e Shqipërisë dhe të qytetarëve të saj gjatë gjithë historisë. “Pavarësisht përçarjes dhe pafuqisë së brendshme, shtetit të pavarur dhe përgjatë shek. 20, Shqipëria bëri përpjekje për të ndihmuar vëllezërit kosovarë kur ata u dëbuan dhe u përndoqën prej atdheut të tyre nga qeveritë nacionaliste të Beogradit gjatë luftërave ballkanike 1912-1913, pastaj në periudhën midis dy luftërave ballkanike dhe së fundi gjatë vitit 1998-1999. U takuam në kohë të vështira ose siç thotë shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare në librin e tij kushtuar Kosovës “Ra ky mort e u pamë”, ne u takuam në ditë të vështira, kur afro një milion shqiptarë të Kosovës ishin dëbuar me dhunë nga regjimi i Sllobodan Milosheviçit. Por këto kohë të rënda dhe të vështira na mobilizuan si komb dhe na forcuan për ndërtimin e kohezionit tonë të brendshëm. Ne ia dolëm së bashku, u rikthyem dhe e rindërtuam shtëpinë tonë, Kosovën. Ishte një fitore e jashtëzakonshme jo vetëm për Kosovën, por edhe për Shqipërinë dhe të gjithë aleatët tanë. Ishte një rrugëtim i gjatë drejt lirisë dhe pavarësisë, ishin bërë shumë sakrifica, shumë mund, shumë vuajtje, shumë dhimbje, shumë gjak që nga luftërat ballkanike 1912-1913, kur atdheu ynë u pushtua nga Beogradi. Pa ndihmën e aleatëve perëndimorë dhe të shtetit shqiptar, sigurisht se nuk do ishim këtu ku jemi tani”, deklaron Ukshini.
Sipas tij, liria e Kosovës u shndërrua në një projekt i përbashkët i Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa pavarësia e Kosovës solli më shumë stabilitet, më shumë siguri dhe më shumë progres edhe për Shqipërinë dhe rajonin.
“Me të njëjtën gatishmëri dhe emocion reaguan edhe kosovarët me rastin e tërmetit të muajit nëntor që goditi Shqipërinë. Ata nuk kursyen asgjë për të ndihmuar vëllezërit e tyre në përballimin e kësaj situate të rëndë. Kudo që kam lëvizur nëpër Shqipëri, kam dëgjuar falënderime dhe mirënjohje të thellë për humanizmin e shpërfaqur nga Kosova dhe institucionet e saj”, shprehet Ukshini duke shtuar se “ne në Kosovë vlerësojmë çdo përpjekje dhe çdo kontribut të qeverive shqiptare në bashkëpunim edhe me disa shtete të fuqishme perëndimore, në rrallë të parë me SHBA-të, në procesin e shtetndërtimit, në njohjen ndërkombëtare të shtetësisë së Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare. I ndrituri Mid’hat Frashëri kishte shkruar dikur se shtetndërtimi i Kosovës ishte amaneti dhe përmbushja e projektit të Lidhjes së Prizrenit”.
Më tej, Ukshini shprehet se “jam me fat dhe shumë i lumtur që gjatë shërbimit tim në krye të Ambasadës së Kosovës pata mundësinë të njihja më shumë Shqipërinë dhe njerëzit e saj. Shpejt e kuptova se me ardhjet sporadike nuk e kisha njohur sa duhet Shqipërinë, sepse ajo është më shumë dhe më e madhe se kryeqyteti i saj, Tirana, më shumë se plazhet e bukura. Të arrish ta njohësh Shqipërinë në tërësinë e saj, përfshirë diversitetin dhe thelbin e saj, të bëhet e mundur vetëm nëse do të jetosh për vite të tëra, duke njohur njerëz dhe zona të bukura nga veriu dhe jugu, lindja dhe perëndimi, malet dhe bregdetet, qytetet dhe fshatrat. Këtu ka shumë vende të mrekullueshme, këtë ma thonë edhe diplomatët e huaj. Bukuritë gjeografike, bregdetin e pastër dhe madhështor, trashëgimia historike-kulturore të Shqipërisë janë të jashtëzakonshme. Ka shumë qytete dhe vende nga veriu në jug që kryesojnë në listën time të preferuar. Shqipëria është perla e Adriatikut dhe Ballkanit, me një potencial shumë të fuqishëm për turizëm”.
Duke u ndalur te zhvillimet në Kosovë, Ukshini thekson se “ është e padrejtë dhe zhgënjyese që Kosova, një vend me vetëm 2 milionë banorë, mbetet edhe më tej vendi i vetëm europian, populli i të cilit është i izoluar, edhe pse ka përmbushur të gjitha detyrimet, liberalizimi i vizave ka mbetur peng i dinamikave të brendshme në vendet e Bashkimit Europian. Justifikimet në Bruksel mund të jenë të pafundme, por më pak se 2 milionë banorë të Kosovë nuk paraqesin në asnjë barrë për BE-në, ndërkohë që 100 milionë njerëz i janë shtuar asaj bashkësie njerëzisht që mund të hyjnë në BE pa viza”.
Sipas tij, liberalizimi i vizave për Kosovën ka një domethënie edhe më të madhe se për çdo vend tjetër europian. “Për ne, qytetarët e shtetit më të ri europian, liberalizimi i vizave paraqet edhe konfirmim të shtetësisë dhe fuqizimi të pasaportës së Republikës të Kosovës, si dhe hapje edhe të një porte tjetër në rrugëtimin tonë drejt evropianizimit të vendit tonë. Mendoj se një Kosovë europiane është edhe në interesin e vetë BE-së”.
“Duke u shprehur ndjehet i privilegjuar, që 20 vjet më pas nga ato momente që dukeshin fundi i botës, ku Kosova i ngjante një toke të djegur, ku nga momenti në moment dukej se krimi po triumfonte edhe një herë në Europë, të mund të flasim për projeksionet e bashkëpunimi tonë, për partneritetin strategjik dhe të ardhmen e dy vendeve tona të kontinentit europian, Ukshini thekson se “ne duhet të bëjmë më shumë që Kosova dhe Shqipëria të jenë më të mira, falë punës sonë, falë lojalitetit tonë, falë përkushtimit tonë dhe falë profesionalizmit tonë, në mënyrë që brezat që vijnë pas nesh ta jetësojnë ëndrrën për një shoqëri me vlera dhe standarde evropiane”.
“Uroj që viti 2020 të realizojë dëshirën e madhe të Shqipërisë për hapjen e negociatave me Bashkimin europian dhe lëvizje të lirë në zonën Schengen edhe për qytetarët e Kosovës, shtetit më të ri europian”, përfundon Sylë Ukshini me urimin “shëndet, paqe, mirëqenie, dashurie e mirësi për njëri-tjetrin”.