Kroacia do të punojë për hapjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut gjatë këtij gjashtëmujori që ky shtet ka presidencën e Bashkimit Europian.
“Ne do të bëjmë çmos për të kapërcyer problemet dhe zhbllokuar procesin që u ndalua në samitin e tetorit 2019”, tha kryeministri Andrej Plenkoviç më 2 janar, një ditë pasi Kroacia mori mandatin e saj të parë në presidencën e rradhës.
Franca dhe Holanda bllokuan hapjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut vitin e kaluar, duke ngjallur pakënaqësi dhe shqetësim Ballkanin Perëndimor.
“Konteksti i presidencës tonë është shumë specific”, tha Plenkoviç.
Nëse gjithçka shkon mirë dhe Britania largohet nga BE më 31 janar, synimi i Kroacisë është të koordinojë përpjekjet e BE-së për të përvijuar një propozim kornizë për marrëveshjet e ardhshme me Britaninë, shpjegoi Plenkoviç.
“Kjo është detyra jonë, ne tashmë kemi nisur të punojmë për të, së bashku me Michel Barnier, negociatorin e BE për Brexit”, tha ai.