Kryeministri Zoran Zaev, mëngjesin e sotëm deklaroi se e ka nënshkruar dorëheqjen, pas çka pritet që kryetari i Kuvendit, të konvokojë seancë plenare, ku do të konstatohet dorëheqja. “Besoj se shumë shpejtë do të arrijë në Kuvend, që të mund gjatë ditës të fillojë procedura dhe përfundojnë punët për zgjedhjet e qeverisë kalimtare”, tha Zaev, në emisionin “Utrinski Brifing”. Ai pret që e gjithë procedura të kalojë pa problem, duke përkujtuar se praktika e formimit të qeverisë kalimtare është vendosur që në vitin 2016, me kërkesë të LSDM-së, kur ata ishin në opozitë.
Pas konstatimit të dorëheqje, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, e njofton presidentin e shtetit Stevo Pendarovski, i cili duhet t’i jep mandat ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, i cili nga organet më të larta të LSDM-së, u propozua si kryeministër teknik, e për të cilin ka pajtim edhe nga partia opozita VMRO-DPMNE. Më pas Spasovski, duhet ta propozojë Qeverinë e re, ndërsa Kuvendi ta votojë edhe kjo përbërje qeveritare do të udhëheq me shtetin në periudhë deri në formimin e Qeverisë së re.
Ndërsa dje VMRO -DPMNE-ja dje tërheqi Dragan Kovaçkin dhe doli me kandidat të ri për për ministër teknik të Punëve të Brendshme. Bëhet fjalë për Naqe Çulev, i punësuar në Agjencinë për Zbulim, propozim ky i pranueshëm për LSDM-në dhe BDI-në. “Me këtë propozim të VMRO-DPMNE-së nuk shkelet Kushtetuta, pasi nuk bëhet fjalë për person ushtarak dhe të uniformuar dhe nuk është nën hetim. Me këtë plotësohen kushtet që propozimi të shkojë në votim në Kuvend, bashkë me Qeverinë teknike, e cila duhet t’i realizojë zgjedhjet e 12 prillit”, thonë nga LSDM. “Bëhet fjalë për njeri, profesionist. Pres konsultime me z. Zaev i cili së shpejti duhet të kthehet në vend. Të bisedojmë edhe një herë. Të konsultohemi me z. Ahmetin, siç parashohin ligjet, dhe më pas do ta mësojë edhe opinioni.”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.