Ekskluzivisht për ARGUMENTUM
Nga Stefani NOVA
Shqipëria merr kryesimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian. E thënë më thjesht. Ajo do jetë “shefja” e OSBE-së gjatë këtij viti. Ky lajm gëloi para dhe pas Vitit të Ri, duke marrë gjithë vëmendjen e opinionit publik. A thua se organizmi i rëndësishëm evropian kishte zhvilluar një konkurs “bukurie” mes shtetesh dhe Shqipëria ishte zgjedhur e para ndër tyre. Jo ore jo! Thjesht i ka ardhur radha për të qenë në krye të të tjerëve. Se evropianët e njohin rotaconin, jo si kultura shqiptare e mos të lëshuarit vend ndaj tjetrit. Se Evropi di t’ua lërë radhën edhe të tjerëve, qoftë dhe për t’i vënë në provë se a dinë të drejtojnë. Pse jo, edhe për t’i lënë të dështojnë me sukses, pikërisht duke ua lëshuar fronin e drejtuesit. Zoti mos dashtë që të turpërohemi me kryesimin tonë “alla shqiptarçe” të OSBE-së, kësaj organizate me reputacion dhe prestigj të lartë të korridoreve evropiane, detyrat e së cilës janë aq të rëndësishme: duke nisur që prej vëzhgimit të zgjedhjeve, luftës për lirinë e shtypit, mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve. Deri edhe tek misioni vëzhgues në lindje të Ukrainës dhe misione të tjera.
Të gjitha këto, presupozohet, që gjatë këtij viti të mbikqyren nga Shqipëria dhe të koordinohen prej saj, në rolin honorifik të drejtueses. Por aspak të vendim-marrëses dhe firmëtares finale të vendimeve madhore. Ndaj nuk duhet të na rriten edhe aq “veshët”, teksa tamburojmë ditë e natën me daulle shqiptare lajmin se do kryesojmë OSBE-në, Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian…
Me ngadalë shqiptarë, më me ngadalë. Sepse thjesht u ka ardhur radha të jeni në krye, e kjo, jo për ndonjë meritë të madhe të treguar prej jush. Mos harroni se keni qenë edhe herë të tjera në krye të organizatave të tjera ndërkombëtare, edhe ato herë për çështje rotacioni dhe i keni mbaruar ato misione pa lënë asnjë gjurmë të veçantë. Thjesht keni firmosur, vulosur, e shumta shtuar edhe stafin përfaqësues “Made in Albania” brenda tyre. Dhe vetëm kaq. Asgjë e re nga fronti shqiptar i lidershipit, mënyrës së të drejtuarit, edhe në arenën ndëkombëtare. Aty ku të paktën, nuk të lë askush që të dalësh nga rregullat të cilat janë caktuar me kohë.
Të mos harrojmë, se janë të paktën 57 vende të Evropës, Amerikës së Veriut dhe Azisë, anëtare me të drejta të plota të OSBE-së, që si të tilla nuk mund t’ia lënë politikat e sigurisë evropiane në dorë një vendi ende aventurier dhe primitiv në lëmin e diplomacisë apo të politikave të brendshme e të jashtme siç është Shqipëria. Ato thjesht po i japin nderin që të ulet një herë në fronin ku ato kanë qenë tashmë, duke i dhënë në këtë mënyrë edhe shansin për të kuptuar më nga afër sesa e vështirë është të pretendosh siguri nga Evropa, kur vetë je një vend që në përgjithësi shkakton pasiguri. Në njëfarë mënyre, Evropi po i jep dorën Shqipërisë që të rritet, pikërisht duke bërë sikur e vënë në krye të detyrave, që gjithsesi të tjerët do t’i përfundojnë. Ata, të cilët tashmë janë rritur… Prandaj, më me ngadalë shqiptarë. Juve që deri vitin e ardhshëm “u ka rënë fati” të drejtoni për herë të parë edhe Ministerialin e Mbrojtjes të Evropës Juglindore, 2019-2021 (South – East Europe Defence Ministerial – SEDM). Edhe këtë herë, aspak për meritën tuaj.
Njësoj si edhe me rastin e kryesimit të Kartës SHBA-Adriatike, të organizatës së njohur e cila për më tepër se një dekadë e gjysmë ka ndihmuar në ruajtjen e frymës euroatlantike në rajon dhe procesin e anëtarësimit të Kroacisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe së shpejti Maqedonisë të Veriut. Synimi i Nismës Adriatiko Joniane është nxitja dhe thellimi i bashkëpunimit rajonal, i parë ky si një kontribut për integrimin evropian të vendeve anëtare. Dhe si e tillë, nuk ka pritur Shqipërinë për vendime madhore dhe deçizive. Ato i ka “vënë në shina” tashmë prej kohësh.
Madje gjatë vitit të kaluar, kujtojmë se Shqipëria kryesoi edhe organizatën e tregtisë së lirë rajonale, CEFTA. E çfarë ndodhi atëherë? Asgjë, përveç bla-bla-bla –ve të zakonshme të kuzhinës shqiptare të politikës dhe një çorbe të vërtetë shifrash apo teorirërash ekonomike, të spikura nga drejtimi tpik “alla shqiptar” i saj. Gjithçka, me maninë për t’u dukur superiorë ndaj të tjerëve, sidomos ndaj fqinjëve, gjë të clën e kemi gjenetike. E që jo rrallë na bën të dalim më të shpëlarë dhe të dështuar para tyre. Njësoj siç ndodhi edhe para tre vitesh, kur Shqipëria mori kryesimin e grupit të Detit të Zi. Konkretisht, ka qenë Ukraina, ajo që në vitin 2017 i ka dorëzuar asaj kryesimin me rotacionin gjashtëmujor të Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEC), anëtare të së cilës janë Shqipëria Turqia, Rumania, Armenia, Bullgaria, Gjeorgjia, Moldavia, Rusia, Serbia, Ukraina dhe Greqia. E mes shpurës së këtyre vendeve që në fakt janë zotëruese të Detit të Zi, një Shqipëri që as laget fare prej këtij deti do të mund të ishte dominuese dhe kapriçioze? Sigurisht dhe natyrisht që jo… Megjithë fryrjen e Tiranës zyrtare se ka në dorë fatet e vendeve anëtare, përsa kohë i jepet rasti rotativ që të jetë në krye të ndonjë organizate.
Prandaj, shqiptarë më me ngadalë… Thjesht u ka ardhur radha. Njësoj si atëherë kur qëndronit me orë të tëra në ndonjë të tllë gjatë viteve të komunizmit, e më të fund arrinit të preknit banakut dhe t’u jepnin bukën e përditshme…/argumentum.al/
*Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin editorial të Argumentum.al
© Argumentum