Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që lufton militantët e Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, ka pezulluar trajnimin e forcave irakiane për shkak të rritjes së rrezikut, pas sulmit ajror të SHBA-së që la të vdekur një gjeneral iranian.
Kështu ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters, e cila këtë informacion e ka parë në një letër të cilën e ka shkruar ushtria e Gjermanisë. Kjo agjenci ka raportuar se një zyrtar i lartë gjerman u ka shkruar një letër ligjvënësve të vendit të tij, duke i njoftuar se gjenerali amerikan, Pat White kishte vendosur të rrisë nivelin e mbrojtjes për trupat e vendosur në Irak.
“Prandaj, stërvitja për forcat e sigurisë irakiane dhe forcat e armatosura në mbarë Irakun është pezulluar përkohësisht”, ka shkruar gjenerali gjerman, Erich Pfeffer, në letrën drejtuar anëtarëve të komisioneve të mbrojtjes dhe marrëdhënieve me jashtë të Bundestagut.
“Ky vendim është i detyrueshëm për të gjitha vendet partnere të përfshira në trajnimet në Irak”, shtoi ai.
Gjermania ka rreth 120 trupa të vendosur në Irak.
Edhe zëdhënësi i NATO-s, ka konfirmuar se aleanca ka pezulluar misionet e trajnimit në Irak.
NATO kryen trajnime dhe ofron këshilla për forcat irakiane.
Ushtria amerikane njoftoi më 3 janar se ka vrarë Qasem Soleimanin, udhëheqësin e forcave elite iraniane Quds, gjatë një sulmi me dron në aeroportin e Bagdadit, gjë që shkaktoi zemërim të madh në Teheran.
Forcat Quds nga SHBA-ja konsiderohen organizatë terroriste dhe Uashingtoni ka thënë se gjenerali Soleimani ka orkestruar disa sulme vdekjeprurëse në rajon./Rel