Në datë 6 janar 2020 në portin e Shëngjinit u organizua një ceremoni përkujtimore në nderim të mbi 400 viktimave civile të mbytur bashkë me anijen italiane Brindisi e cila në 6 janar 1916, tre milje në afërsi të bregdetit të Shëngjinit, ndeshi në një minë nënujore dhe u mbyt.
Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i shoqatës së Komunitetit Malazez dhe njëkohësisht dhe organizatori i kësaj ceremonie, z. Marinko Culafic. Pasi i uroi mireseardhjen të pranishmeve dhe medieve që kishin ardhur për të mbuluar këtë aktivitet, ai bëri një historik të shkurtër të kësaj ngjarjeje që është një nga tragjeditë më të mëdha në historinë e popullit malazez dhe që njihet ndryshe si “Titaniku” malazez. Në vazhdim z. Culafic theksoi faktin që Komuniteti Malazez mes vështirësive dhe skepticizmit arriti të realizojë aktivitete mjaft të rëndësishme por edhe takime me krerët e institucioneve më të larta shqiptare, të cilët në çdo rast u treguan të gatshëm që të mbështesin të drejtat e minoritetit malazez në kuadër të ligjit për pakicat kombëtare.
Edhe për vitin 2020 shoqata ZCGA ka hartuar një program të larmishëm për promovimin e mëtejshëm të vlerave historike dhe kulturore por edhe të marrëdhënieve shumë të mira midis Malit të Zi dhe Shqipërisë. Një nga pikat e programit është edhe vendosja e një pllake përkujtimore për këtë ngjarje tragjike për popullin malazez, që sigurisht do të realizohet me vullnetin e mirë dhe bashkëpunimin midis pushtetit vendor, ambasadës së Malit të Zi në Tiranë dhe institucioneve përkatëse në të dyja vendet.
Në fund, kryetari i Komunitetit Malazez pasi lavdëroi në veçanti autoritetet vendore dhe të portit për mbështetjen në realizimin e këtij aktiviteti, ia dha fjalën kryetarit të Këshillit të Qarkut të Lezhës, z. Eduard Ndreca i cili midis të tjerave theksoi marrëdhëniet shumë të mira midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, gjë që u vu re edhe gjatë ditë të vështira pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, ku qeveria dhe populli malazez u solidarizuan dhe qëndruan në krah të popullit shqiptar!
Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë dhe përfaqësues të institucioneve nga Mali i Zi, midis të cilëve dhe kryetari i Amzës malazeze, z. Dragan Radulovic; zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Dijasporës të Malit të Zi z. Ivan Jovovic, kryetari i këshillit bashkiak të baskisë së Ulqinit, z. Ilir Capuni, përfaqësuesi për pakicën malazeze për Shqipërinë në këshillin e diasporës së Malit të Zi z. Milan Zlaticanin, përfaqësuesi I Amzës malazeze për Shqipërinë, z. Bllago Zlaticanin etj.
Në fund të ceremonisë përkujtimore u hodhën në det kurora me lule.