Presidenti Ilir Meta ka reaguar ndaj deklaratave të liderit të Iranit, Ajatollah Khamenei, kundër Shqipërisë ditën e sotme. Në një deklaratë në rrjetet sociale, Presidenti dënon sulmin e Iranit ndaj bazave të SHBA dhe shprehet se “Shqipëria nuk është një vend djallëzor, por një vend demokratik që ka vuajtur nga një diktaturë djallëzore e pashembullt, ndaj të drejtat e njeriut i ka të shenjta”.
“Raketat e lëshuara nga Irani drejt dy bazave ushtarake irakiane që strehojnë ushtarakë amerikanë dhe personel të koalicionit, janë një veprim provokues me pasoja të rrezikshme për rajonin dhe stabilitetin e tij. Irani duhet të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, ligjet ndërkombetare dhe detyrimet e tyre në interes të paqes.
Shqipëria nuk është një vend djallëzor, por një vend demokratik që ka vuajtur nga një diktaturë djallëzore e pashembullt, ndaj të drejtat e njeriut i ka të shenjta. Prej dy dekadash Shqipëria mbetet e vendosur në angazhimet e saj përkrah SHBA dhe vendeve të NATO-s në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe çdo akti që vë në rrezik stabilitetin dhe paqen në botë”,- shprehet kreu i shtetit Ilir Meta.