Ukraina do të jetë destinacioni i vizitës së parë të kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm shqiptar Edi Rama në cilësinë e kryetarit të radhës së OSBE-së. Këtë e bëri të ditur vetë zoti Rama gjatë fjalës së mbajtur në Këshillin e përhershëm të organizatës, ku ai bëri publike edhe përparësitë e kryesisë shqiptare. “Ndërsa kriza në dhe rreth Ukrainës, mbetet sfida më e ngutshme e sigurisë në Evropë, kontributi unik i dhënë nga Misioni Special i Monitorimit për uljen e tensioneve dhe nxitjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë është thelbësor. Ndërsa ka pasur disa sinjale inkurajuese që i duartrokasim, rruga për paqe të afatgjatë siç e dimë të gjithë, mbetet e gjatë”, u shpreh zoti Rama duke theksuar se “kryesia shqiptare do të bëjë pjesën e saj për të inkurajuar respektimin e parimeve dhe angazhimeve të OSBE-së dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjeve të Minskut, duke mbështetur përpjekjet e Grupit të Kontaktit Trilateral dhe procesin e Formatit të Normandisë”.
Kryetari i radhës i OSBE-së vuri theksin te nevoja e shfrytëzimit të instrumentave të kësaj organizate të cilat siç tha ai “luajnë një rol themelor në promovimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Institucionet tona autonome janë instrumente unike dhe të çmuara që shtojnë vlerë jo vetëm në OSBE, por për komunitetin e gjerë ndërkombëtar. Ndërsa shohim në të ardhmen, le t’i përdorim plotësisht këto pasuri”. Për zotin Rama “promovimi i lirisë së shprehjes dhe mediave dhe luftimi i dhunës ndaj grave janë përparësi të menjëhershme, urgjente. Avancimi i qeverisjes së mirë është një sfidë tjetër dhe mezi pres që ta vëmë në dukje, gjatë një konference të nivelit të lartë për antikorrupsionin në Tiranë.
Zoti Rama renditi gjithashtu ndër prioritetet e kryesisë shqiptare të OSBE-së “luftën kundër përhapjes së armëve të vogla dhe të lehta dhe krimit të organizuar. Lufta ndaj trafikut të qenieve njerëzore është një fushë ku OSBE po bëhet një lojtar global dhe ne do të maksimizojmë veprimet tona mbi të. Organizata jonë gjithashtu shkëlqen të përgjigjet ndaj sfidave të fundit, të tilla si kundërveprimi ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe sigurisë në internet, me një grup të ri të rëndësishëm masash për ndërtimin e besimit”.
Kryeministri shqiptar, theksoi gjithashtu rëndësinë për t’i dhënë një përgjigje “rritjes së pamohueshme të krimeve të urrejtjes dhe gjuhës së urrejtjes në të gjithë rajonin e OSBE-së. Promovimi i tolerancës dhe mosdiskriminimit do të jetë një përparësi kryesore e Kryesisë sonë dhe shpresoj se ne do të jemi në gjendje të krijojmë së bashku një përgjigje të depolitizuar ndaj këtij fenomeni alarmues”. Zoti Rama paralajmëroi organizimin në Tiranë të një konference për luftën ndaj antisemitizmit. “Ne do të ndajmë me ju historinë krenare të Shqipërisë, në mbrojtje të popullit hebre në vendin tonë të vogël, që u bë i vetmi që pati më shumë hebrenj pas luftës, dhe do të kujtojmë së bashku 75 vjetorin e mbylljes së kampeve naziste të përqendrimit”. Sipas zotit Rama “lufta sot ndaj antisemitizmin nuk është thjesht përballja me përhapjen e antisemitizmit, por dhe me qëndrimin e frikshëm relativist ndaj sjelljes antisemite”.
Kjo është hera e parë që Shqipëri merr drejtimin e një organizate ndërkombëtare, aq më tepër të përmasave të OSBE-së e cila përfaqëson 57 shtete me mbi 1 miliard banorë. Kryeministri Rama foli për një moment historik dhe të jashtëzakonshëm, duke theksuar se “vendit i është dashur një rrugë e gjatë për të mbërritur deri këtu”.