Ministri i Jashtëm i Hollandës, Stef Blok deklaron se Shqipëria nuk hap negociatat me BE-në pa rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Deklarata e kreut të diplomacisë holandeze është bërë sot në një intervistë për gazetën kroate “Jutrnji List”. “Para se të hapen negociatat, Shqipëria duhet të tregojë një angazhim të qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Ministri Stef Blok.
I pyetur në lidhje me veton e Francës, Danimarkës dhe Hollandës për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, Blok tha se pavarësisht rezervave pozicioni i vendeve të BE-së është i qartë se e ardhmja e Ballkanit është në Bashkimin Europian.
“Ky qëllim përfundimtar është i palëkundshëm”, tha ministri hollandez. Ai theksoi se është e rëndësishme që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të vazhdojnë me reformat dhe se Hollanda është e gatshme t’i ndihmojë këto vende me sfidat e ardhshme. Ministri Hollandez shtoi se “Këshilli i Europës do të diskutojë çështjen e Ballkanit, përpara Samitit të majit 2020”, që do të mbahet në Kroaci.
Kroacia mban presidencën e radhës të BE dhe një nga axhendat kryesore të saj është integrimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore.