Një shkëndijë elektrike dyshohet se ka shkaktuar zjarr pak pas mesnatës, në mëngjesin e sotëm në spitalin e Durrësit. Godina 4 katëshe ku gjenden pavionet e kirurgjisë, ortopediseë okulistikës dhe neurologjisë, u përfshi shumë shpejt nga një tym i dendur. Ka qënë ora 00.30 kur është njoftuar stacioni zjarrfikës, ndërsa efektivë të tij së bashku me automjete mbërritën shumë shpejt në vendngjarje. Afro 100 pacientë që gjendeshin të shtruar janë evakuuar drejt reparteve të tjerë të spitalit. Duhet theksuar se nuk ka djegie të mjediseve të brendshme, por nga tymi i dendur është larguar i gjithë personali dhe pacientët. Drejtoresha e spitalit, Nadire Jani tha sot në mëngjes se 100 pacientet i larguam për afro 30 minuta, ndërsa 5 prej tyre i dërguam në Tiranë.
Ajo shtoi se dy kate të kësaj godine mund të bëhen funksionale që sot pasi të pastrohen dhe sistemohen nga e para, ndërsa për dy katet e tjera do të duhen disa ditë.