Ish-ministri i jashtëm Ditmir Bushati është caktuar si i dërguar i posaçëm në OSBE, i cili përgjatë këtij viti do të drejtojë fushata të caktuara të të gjitha fushave.
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, është emëruar nga Kryeminstri Edi Rama si i dërguar i posaçëm në OSBE. Në këtë pozicion Bushati do të drejtojë Presidencën e Shqipërisë në mungesë të Edi Ramës për çështje të ndryshme. Për herë të parë në këtë oragnizatë do të ketë një post të tillë, pasi në Presidencat e tjera nuk ka qenë e nevojshme.
Pozicioni i tij është risi në drejtimin e OSBE, pasi asnjë vend tjetër që ka patur Presidencën nuk e ka parë të nevojshme këtë post.
Emri i Bushatit është postuar edhe në faqen zyrtare të organizatës, duke kryesuar ekipin i cili do të drejtojë Presidencën shqiptare në të gjitha fushat ku do të përfshihet kryesimi i Shqipërisë.
Për shkak të angazhimeve të Edi Ramës në politikën e brendshme dhe ato rajonale me minishengenin si dhe me çështjen e negociatave ishte parashikuar që përveç takimeve të rëndësishme, takimet e tjera në OSBE do të drejtoheshin nga Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj.
Por ndryshe nga sa pritej për shkak të pakënaqësisve me këtë të fundit, Edi Rama ja ka besuar këtë detyrë Ditmir Bushatit, i cili në pozicionin e Ministrit të Jashtëm në 8 dhjetor të 2018 në Ministerialin e Milanos mori edhe besimin e 57 vendeve për të qënë pjesë e Trojkës dhe më pas në 2020 të drejtojë OSBE-në.
Por vetëm 20 ditë më pas nga kjo datë historike për vendin tonë, Kryeministri Rama bëri ndryshime në qeveri për ta larguar Ditmir Bushatin nga kabineti qeveritar duke e zëvendësuar me Gent Cakaj, i cili më vonë i kushtoi një betejë politike me Presidentin.
Por pavarësisht rotacionit në qeveri Bushati, si deputet ka mbajtur detyrën e kryetarit të delegacionit parlamentar të OSBE-së, i cili një muaj më parë raportoi në Kongresin Amerikan gjatë seancës informuese për sfidat me të cilat pritet të përballet Kryesia Shqiptare e OSBE në 2020.
Gjithashtu ish-Ministri i Jashtëm gjatë 2019 drejtoi edhe misionin e OSBE-së për zgjedhjet në Bjellorusi.