Në kuadër të vizitës së ministres së Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, Anila Denaj në Kroaci në Odën Kroate të Tregtisë (HGK) është mbajtur forumi ekonomik shqiptaro-kroat, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë vizitës së saj në HGK, Denaj shprehu shpresën se ky forum ekonomik do të ndihmojë në përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe se përvoja e Kroacisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) është e vlefshme për Shqipërinë.
Ministrja Denaj ka shprehur falënderimet e saj për Kroacinë për ndihmën e shpejtë dhe efikase që i është ofruar Shqipërisë pas tërmetit që goditi vendin në nëntor të vitit të kaluar.
Ministri kroat i Ekonomisë, Darko Horvat, theksoi se tregu shqiptar është i vogël, por fizikisht ndodhet afër Kroacisë, duke theksuar se sipërmarrësit kroatë kanë çfarë të ofrojnë në këtë treg: në ndërtimin e rrugëve dhe autostradave, infrastrukturës hekurudhore dhe në fushën e teknologjive të reja, por edhe në fushën e transferimit të industrisë ushqimore cilësore në tregun shqiptar.
“Tregu shqiptar i turizmit po fiton terren. Është një nga prioritetet që gjithçka që ne ofrojmë tani përmes ofertës së turizmit në Kroaci, në të njëjtën mënyrë ta ofrojmë edhe në Shqipëri”, tha Horvat.
Ai porositi se duhet të riaktivizohet Komisioni i përzier ekonomik kroato-shqiptar, i cili pauzoi në vitin 2016.
Horvat theksoi se është e rëndësishme që gjatë presidencës kroate të Këshillit të BE-së, Shqipëria të përgatitë arkitekturën e bisedimeve për anëtarësim dhe arkitekturën e tërheqjes së parave evropiane në tregun shqiptar.
Kryetari i HGK-së, Luka Buriloviç tha se ekziston një interes i madh për bashkëpunimin midis dy ekonomive, përkatësisht kompanive nga Kroacia dhe Shqipëria si dhe ekziston bashkëpunim i mirë politik midis dy vendeve mike.
“Shkëmbimi tregtar midis Kroacisë dhe Shqipërisë arriti në rreth 60 milionë dollarë vitin e kaluar”, tha Buriloviç, duke shtuar se kjo shumë duhet të rritet dhe bashkëpunimi të përmirësohet, gjë që sipas tij, tashmë është arritur pjesërisht me një rritje prej 35 për qind krahasuar me vitin 2017.
“Shpresoj që gjatë presidencës kroate të Këshillit të BE-së do të fillojnë bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që do të përmirësojë më tej marrëdhëniet tona ekonomike”, tha Buriloviç.
Në forumin ekonomik marrin pjesë rreth 40 biznesmenë kroatë dhe 20 biznesmenë shqiptarë.
Një forum i ngjashëm ekonomik u mbajt para gjashtë muajsh edhe në Shqipëri, gjatë vizitës së një delegacioni kroat të udhëhequr nga ministri i Ekonomisë, Darko Horvat.