Filmi “HoneyLand” (Toka e mjaltit) në regji të Lubo Stefanov dhe Tamara Kotevska është nominuar në dy kategori për çmimin më prestigjoz të filmit Oscar.
Filmi dokumentar “HoneyLand” është filmi i tretë nga Maqedonia e Veriut që nominohet për çmimin prestigjoz, ndërsa është i pari në historinë e vendit që ka dy nominime.
Filmi “HoneyLand” nga Maqedonia e Veriut është nominuar në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar, ku përpos tij janë nominuar edhe filmi “Corpus Christi” nga Polonia, filmi “Les Miserables” nga Franca, “Pain and Glory” nga Spanja dhe “Parasite” nga Koreja e Jugut.
“HoneyLand” gjithashtu është nominuar edhe në kategorinë e filmit më të mirë dokumentar, ku përpos tij janë nominuar edhe filmat: “American Factory”, “The Cave”, “The Edge of Democracy”, “For Sama”.
Ndryshe, filmi “Joker” kryeson nga të gjitha filmat me 11 nominime, i ndjekur nga “The Irishman”; “Once Upon a Time … in Hollywood” dhe filmi “1917” me nga 10 nominime.
Issa Rae dhe John Cho njoftuan kandidatët në 24 kategori që nderojnë arritjet më të mira në filmat e publikuar në vitin 2019.
Të nominuarit për aktoren më të mirë janë: Cynthia Erivo në filmin “Harriet”, Scarlett Johansson në filmin “Marriage Story”, Saoirse Ronan në filmin “Little Women”, Charlize Theron në filmin “Bombshell” si dhe Renée Zellweger në filmin “Judy”.
Të nominuarit për aktorin më të mirë janë: Antonio Banderas në filmin “Pain and Glory”, Leonardo DiCaprio në filmin “Once Upon a Time … in Hollywood”, Adam Shofer në filmin “Marriage Story”, Jonathan Pryce në filmin “The Two Popes” dhe Joaquin Phoenix në filmin “Joker”.
Të nominuarit për regjisorin më të mirë ishin të gjithë meshkuj, duke bërë që prezantuesja Rae të thoshte, “urime për këta burra” pasi u lexuan emrat. Emrat e regjisorëve janë: Bong Joon Ho për filmin “Parasite”, Sam Mendes për filmin “1917”, Todd Phillips për filmin “Joker”, Martin Scorsese për filmin “Irishman” dhe Quentin Tarantino për filmin “Once Upon a Time … in Hollywood”.
Ceremonia e 92-të e ndarjes së çmimit më prestigjoz të filmit Oscar do të mbahet në Los Angeles më 9 shkurt.