Acarimi i situatës në Lindjen e Mesme, ka përfshirë edhe Shqipërinë. Ministri në Detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj deklaroi se vendi ynë ka shpallur non grata dy diplomatë të lartë të Iranit në Tiranë dhe i ka kërkuar të largohen nga vendi.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka vendosur sot, që përfaqësuesit diplomatikë të Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri, z. Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe z. Seyed Ahmad Hosseini Alast, të shpallen persona të padëshirueshëm, për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike,” deklaroi Cakaj pasditen e së mërkurës.
Mohammad Ali Arz Peimanemati, është këshilltar i tretë i Ambasadës së Iranit ndërsa Seyed Ahmad Hosseini Alast, këshilltar për kulturën.
Burime të qeverisë shqiptare, thanë se dy diplomatët po dëbohen për aktivitete kundër grupit MEK. Sipas tyre, atasheu kulturor Seyed Ahmed Hosseini Alast kishte mbajtur poste të larta në Gardën Revolucionare të Republikës Islamike dhe Mohamed Peimanemati ishte anëtar i njësisë operacionale të inteligjencës së Iranit Mois dhe ishte përgjegjës për disa akte terroriste në vendet e BE-së.
Dëbimi i diplomatëve është një rast i përsëritur pasi në dhjetor të vitit 2018 Shqipëria përzuri ambasadorin e Iranit në Tiranë, Gholamhossein Mohammadnia dhe një diplomat tjetër pas dyshimeve se po përgatisnin sulm terrorist, natyra e të cilit nuk u bë publike.
Vendim ky që u përgëzuar nga Sekretari Amerikan i Shtetit nëpërmjet një reagimi publik dhe me një letër falënderuese që Presidenti Trump i dërgoi kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Burime zyrtare nga MPJ e Shqipërisë për Argumentum.al bën me dije se aktiviteti i dyshimtë i diplomatëve është i dokumentuar dhe konsultuar me aleatët perëndimor të Shqipërisë.
Marrëdhëniet e Shqipërisë me Iranin janë të tensionuara vitet e fundit që në kohën kur vendi ynë pranoi një grup opozitar iranian të quajtur Mojahedin-e-Khalq, MEK, të cilët u transferuan në Shqipëri nga Iraku.
Pas ashpërsimit të situatës në Lindjen e Mesme si pasojë e vendimit të presidentit amerikan Donald Trump të vrasë gjeneralin iranian Qasem Soleimani, në fillim të janarit, udhëheqësi shpirtëror i Iranit Ayatollah Khamenei iu referua “një vendi të vogël djallëzor në Europë” si strehues i “tradhtarëve” të Iranit, që u interpretua si një referim ndaj Shqipërisë.
Me largimin e dy diplomatëve, Ambasada e Iranit mbetet me gjashtë diplomatë duke u gjysmuar numri në vetëm pak muaj.
Një zyrtar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, refuzoi t’i përgjigjej pyetjes së Argumentum.al nëse do të ketë një ndërprerje të marrëdhënieve mes Tiranës dhe Teheranit.
Deri pasditen e së mërkurës Ministria e Jashtme e Iranit nuk ka bërë asnjë reagim për vendimin e Shqipërisë. / h.e.
© Argumentum