Nga Dr.Jorgji KOTE
Takimi Putin-Merkel në Kremlin më 11 janar ishte treguesi më i qartë i ndryshimeve të mëdha gjeopolitike në botë këto pesë vitet e fundit. Në shkurt 2015, mes flakëve të luftës në Ukrainë dhe Siri, Merkel shkonte në Moskë me një “thes” kritikash dhe me sanksione ekonomike, në emër edhe të BE-së dhe paralajmërime për shpagim nga NATO. Madje, atë vit ajo nuk pranoi të ishte e pranishme në tribunën e paradës së 70-vjetorit të fitores mbi nazifashizmin në Moskë. Krejt e kundërta ndodhi të shtunën e kaluar gjatë pesë orëve të bisedimeve dhe konferencën e përbashkët për shtyp. Ndoshta për herë të parë në 14 vitet e saj si kancelare, Merkel nuk belbëzoi asnjë kritikë apo rezervë të vetme, qoftë dhe me gjysmë zëri ndaj Putinit; a thua se afera Skripal dhe së fundi vrasja në gusht në Berlin e një ish-agjenti rus nuk kishin ndodhur kurrë. Aq sa të dukej sikur Merkel kishte shkuar për t’u “falur” në Kremlin, vetëm me lutje, përgjërime, lavdërime për rolin rus në Siri, edhe pse në ato çaste raketat ruse bombardonin popullsinë civile atje, pa folur fare për “mëkatet”, por vetëm për “meritat” e Putinit.
Siç pohojnë shumë ekspertë, faji dhe përgjegjësia për këtë gjendje të mjerë të politikës së jashtme gjermane dhe evropiane do kërkuar kryesisht te gjeopolitika e fuqive më të mëdha botërore, te acarimi i vazhdueshëm i situatave kudo dhe aktualisht në Lindjen e Mesme. Kështu, në Libi trupat e gjeneralit rebel Haftar kanë ndërmarrë sulme të vazhdueshme për të rrëzuar qeverinë e ligjshme të mbështetur nga OK-ja dhe Turqia. Në Siri, presidenti Assad nuk do t’ia dijë më për asgjë, sepse ka mbështetjen ruse. Në Irak ka një klimë tjetër, ku protestues të shumtë po kërkojnë largimin e trupave të huaja, duke bërë kauzë të përbashkët me Iranin, që ka dhe ai mbështetjen e Putinit. Pas ekzekutimit të komandantit famëkeq, Soleimani, dhe rrëzimit të avionit civil ukrainas me 180 viktima, Irani ndodhet në një gjendje gati shpërthyese të rrezikshme, duke kërcënuar prishjen e Marrëveshjes së Atomit, ku palë është edhe Rusia.
Nga ana e vet, BE-ja vetë ndodhet në pozitat më të dobëta në historinë e saj 61-vjeçare. Pas Brexit, Britania e Madhe po del prej saj, duke ia dobësuar goxha forcën politike, ekonomike dhe të sigurisë. Disa vende të tjera kanë kërkuar ribërjen e BE-së, duke e zëvendësuar me demokracinë joliberale; në ndonjë vend tjetër partitë populiste dhe ekstremiste po përshkallëzojnë veprimtarinë e tyre me synime për marrjen e pushtetit. Këto dukuri po shtohen edhe në Gjermani, ku po duken edhe shenjat e para të rënies ekonomike. “Lamtumira” e tejzgjatur e Merkelit deri në vitin 2021, me gjithë rolin dhe popullaritetin e saj, por pa një lider alternativ në horizont, nuk mund të ndihmojë shumë. Shto këtu dilemën hamletiane të reformimit të brendshëm apo zgjerimit të jashtëm apo të dyja njëherazi, çka u pasqyrua edhe në mosçeljen ende të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dialogu Serbi-Kosovë nën hyqmin e BE-së ka dështuar dhe nuk dihet se kur dhe si do të fillojë, kur Greqia është përfshirë në grindje e debate me Turqinë lidhur me shfrytëzimin e zonave naftëmbajtëse në Mesdheun Lindor.
I vetmi sukses i madh i BE-së, Marrëveshja e Atomit me Iranin rrezikon të shpërbëhet si pasojë e largimit prej saj të SHBA-ve. Ndërkohë, BE kërcënohet dhe sfidohet seriozisht nga Kina, që me Rrugën e saj të Mëndafshit ka pohuar për herë të parë synimin e saj si superfuqi botërore.
Një shkak tjetër madhor i kësaj gjeopolitike të re të përkeqësuar është politika amerikane nën drejtimin e presidentit Trump. Veç gjendjes së tensionuar të brendshme disa muaj përpara zgjedhjeve të reja presidenciale dhe në pritje të gjykimit të tij të mundshëm, largimi i SHBA-ve nga Lindja e Mesme ka krijuar hapësira dhe boshllëqe të mëdha gjeopolitike që po mbushen nga Rusia, Turqia, Irani, Arabia Saudite etj.. Një sfidë e drejtpërdrejtë për BE-në, e cila ka investuar më shumë se kushdo në atë rajon ekonomikisht dhe tashmë e sheh veten “jashtë loje” dhe “me gisht në gojë”. Ndaj, ajo ka dalë me nismën për një rol të ri në krizën në Libi të drejtuar nga diplomacia gjermane, por që kërkon detyrimisht mbështetjen ruse dhe turke. Kjo është jetike për BE-në, sidomos lidhur me synimin e saj strategjik për të parandaluar valë të reja të emigrimit masiv nga Siria, Iraku dhe Libia.
Në këto kushte tejet të disfavorshme për të, kur SHBA-të nuk ofrojnë ndonjë alternativë, BE-ja, Gjermania dhe Merkel janë të detyruar t’i bëjnë “temena” Rusisë, duke bërë “një vesh shurdh dhe një sy qorr” ndaj shkeljeve dhe standardeve të saj demokratike. Sepse ndryshe nga më parë, kur në marrëdhëniet me Rusinë, Kinën etj. kërkohej si parakusht respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut etj., vitet e fundit vëmendja dhe veprimi i politikës/diplomacisë ndërkombëtare për këtë dimension etik dhe moral është zbehur ndjeshëm. Theksi i saj po vihet më tepër te realpolitika pragmatiste, ose tek interesat afatgjata politike, ekonomike, të sigurisë etj..
Sepse, siç thotë Fareed Zakaria, mendimtar dhe publicist i mirënjohur indiano-amerikan: “Politika e jashtme nuk është çështje teologjike, por e kosto/përfitimeve”.
Kështu, më 2014-ën, Rusia aneksoi ushtarakisht Krimenë dhe ndërhyri ushtarakisht në Ukrainën Lindore, duke sfiduar hapur të drejtën ndërkombëtare. Me gjithë masat e njohura ndërkombëtare, jo vetëm nuk është arritur ndonjë gjë lidhur me mbrojtjen/respektimin e vlerave demokratike, por në Ukrainë po vriten çdo ditë me dhjetëra njerëz. Megjithatë, në deklaratën e shtypit me Parlamentin Evropian pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë më 4 prill, përfaqësuesit e ODIHR u detyruan të hiqnin termin “agresioni rus” duke e zëvendësuar atë me “konflikti në Ukrainën Lindore”!
Kjo u pa qartë dehe në “Forumi i Arktikut”, i mbajtur më 9 prill në Saint Petersburg me ftesë të Rusisë. Pas një mungese të gjatë, aty u përfaqësuan dhe Norvegjia, Danimarka dhe Suedia, krahas Islandës dhe Finlandës, të cilat njihen si lidere botërore në fushën e të drejtave të njeriut. Ato e panë se mungesa e tyre si protestë ndaj aneksimit të Krimesë për disa vite në atë forum nuk kishte dhënë asnjë rezultat për përmirësimin e shtetit të së drejtës në Rusi. Ndërkohë, gjendja dhe sfidat në Detin e Veriut janë tepër alarmante për ato vende dhe nuk mund të zgjidhen pa dialog me Rusinë. Sepse bëhet fjalë për aspekte jetike si menaxhimi i mbetjeve bërthamore, peshkimi, ndotja nga thasët plastikë, nxjerra e qymyrit nga Rusia dhe siguria, sidomos për Finlandën dhe Suedinë.
Në vitin 2014 edhe Këshilli i Evropës i hoqi Rusisë të drejtën e votës në Asamblenë Parlamentare. Mirëpo, rezultati i vetëm i këtij sanksioni ishte ndërprerja e financimeve prej 60 milionë euro në vit nga Rusia, duke shkaktuar vështirësi për projektet e tij pikërisht për financimin e programeve për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Ndaj, disa muaj më parë edhe Strasburgu u “dorëzua” përballë realpolitikës ruse, e cila mbetet anëtare me peshë e KiE-së.
Në këto kushte, vendet dhe organizatat më të mëdha ndërkombëtare po rishikojnë qëndrimin e tyre politik ndaj Rusisë. Në Gjermani janë të shumta zërat kundër sanksioneve, sepse sipas tyre, ato nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Madje, e ashtuquajtura formula “Steinmeier”, e propozuar nga presidenti gjerman për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë nga shumë konsiderohet si “formula e Putinit”. Edhe lidhur me projektin e debatueshëm gjigant naftësjellës gjermano-rus “Nord Stream 2”, në takimin e tyre, Putin dhe Merkel konfirmuan zbatimin e tij, pavarësisht nga kundërshtimi i SHBA-ve. Ithtar i një formati të ri në marrëdhëniet me Rusinë është edhe presidenti Macron. I njëjti refren dëgjohet edhe në Itali, Austri, Hungari, Holandë, Belgjikë, madje edhe në Luksemburgun e vogël, por aleat i madh historik i Rusisë. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka kërkuar bashkëpunim në vend të ballafaqimit me Rusinë.
Këto qëndrime, të cilat gjithsesi nuk nënkuptojnë lënien pas dore të standardeve demokratike janë të natyrshme, sepse pavarësisht nga avantazhet strategjike të perëndimit, tanimë është e qartë se pa Rusinë nuk mund të trajtohet e ca më pak të zgjidhet asnjë problem dhe krizë madhore në botë.
Këto dhe zhvillime të tjera të pritshme kanë ndikim edhe në qëndrimet tona ndaj Rusisë. Padyshim që si anëtarë të NATO-s dhe kandidatë të BE-së, ne jemi e do të mbetemi të përkushtuar fort ndaj vlerave dhe parimeve të demokracisë liberale dhe shtetit të së drejtës, pavarësisht nga sulmet, shtrembërimet dhe mohimi i tyre apo dhe krijimi prej Rusisë i hapësirës Euro-Aziatike si alternativë ndaj BE-së. Kjo është zgjedhja jonë me përfitimet, por dhe kostot e saj. Nga ana tjetër kërkohet kujdes për shmangien e çdo forme të folklorizmit dhe dilentatizmit diplomatik, as të teprohet me rrezikun rus, duke abuzuar me të për konsum të brendshëm publik, ose kapital të jashtëm politik. Në vend të tyre lipset një qasje dhe sidomos diplomaci aktive dhe energjike, nëpërmjet shfrytëzimit të koniukturave politike dhe ekonomike bashkë me aleatët tanë SHBA-të, BE-në etj.. Po flitet shumë se mosçelja e negociatave me BE-në mund të shërbejë për penetrimin më të madh rus në vendin tonë dhe në rajon. Në fakt, falë edhe shkollës e traditave të saj të njohura dhe në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, Rusia ka kohë që është ulur, madje këmbëkryq dhe në ndonjë vend anëtar të BE-së e NATO-s dhe te fqinjët tanë serbë. Kujdes, se anëtarësimi në BE e NATO nuk jep kurrfarë imuniteti ndaj dukurive negative ruse, kineze etj.. Vendimtare për mosinfektimin e demokracisë mbeten reformat e brendshme për forcimin e shtetit të së drejtës.
Nga ana tjetër, do ndarë “shapi nga sheqeri”, dmth., regjimi i Putinit me shkeljet e së drejtës ndërkombëtare dhe praktikat jodemokratike nga populli, kultura, arti, ekonomia dhe traditat e shquara ruse, të cilat duhet të jenë shumë më të pranishme në vendin tonë, sikurse ndodh edhe në vendet e tjera evropiane. Veç kësaj, duke forcuar dhe zgjeruar ndjeshëm këto lidhje dhe marrëdhënie, do të jemi më mirë në gjendje të themi fjalën tonë edhe për dukuritë negative të politikës së jashtme ruse, me aq sa na takon dhe sa kemi mundësi.
Nevoja për një ridimensionim të këtyre marrëdhënieve me Rusinë bëhet edhe më e theksuar, mbasi mundet që ajo të përfshihet edhe në dialogun e ardhshëm Serbi-Kosovë dhe nëse jo, sërish ajo ka rolin dhe veton e saj në KS të OKB-së.
Në këtë drejtim, politika dhe diplomacia jonë ka vend për t’u treguar sa parimore aq dhe pragmatike, me dinamikën e vet realpolitike, në mënyrë që “mishi të piqet dhe helli të mos digjet”. Mundësitë i kemi të shumta dhe të shtuara, sidomos gjatë këtij viti që kryesojmë dhe OSBE-në. Vizita e paralajmëruar e kryeministrit Rama qoftë edhe nën petkun e saj është një moment që do kapur e vazhduar fort, që kjo vizitë të mos jetë thjesht e radhës, as për ‘show’ mediatik, por të çelë hapësira dhe këndvështrime të reja cilësore në marrëdhëniet tona me Rusinë./gsh