Eksportet e frutave, perimeve dhe zarzavateve shënuan rritje vitin që shkoi me mbi 10 për qind. Sipas të dhënave të INSTAT mbi tregtinë e jashtme mësohet se frutat dhe perimet e prodhuara në vend realizuan rreth 10,4 miliardë lekë ose 84 milionë euro vlerë shitjesh në tregjet jashtë vendit në raport me 9.5 miliardë lekë ose 77 milionë euro të realizuara gjatë vitit 2018.
Të dhënat nga tregu bëjnë me dije se rritja e shitjeve erdhi si pasojë e një sezoni më të mbarë prodhimi sidomos nga kushtet me të favorshme të motit.
Vlerën më të madhe të eksportit e shënuan zarzavatet me rreth 7.8 miliardë lekë të përfaqësuara nga rritja e kontratave me jashtë për shitjen e domates. Eksporti i zarzavateve në veçanti shënoi 7.8 miliardë lekë ose 63 milionë euro me një rritje 5,3 për qind në raport me një vit më pare.
Ndërsa eksporti i frutave në vlerë është më i vogël me vetëm 2,6 miliardë lekë, por rritja në raport me vitin 2018 ishte me lartë, me rreth 25%.
Baza e eksporteve të frutave dhe perimeve është zgjeruar dukshëm gjatëdhjetëvjeçarit të fundit. Vlera e tyre është katërfishuar nga viti 2013, ku vlera e tyre ishte 2,8 miliardë lekë, duke arritur vlerën e 10.4 miliardë lekëve në vitin 2019.
Shkak për këtë rritje më së shumti janë faktorët gjeografike të cilët mundësojnë prodhimin më të hershëm të frutave dhe perimeve nga vendi ynë.
Por megjithë këtë, rritje Shqipëria mbetet e fundit në rajon për volumin e prodhimeve bujqësore dhe se ende është njëvend që ende importon fruta dhe prime për nevoja të konsumit të brendshëm.
Të dhënat tregojnë se vitin e kaluar janë importuar 9.4 miliardë lekë ose rreth 77 milionë euro fruta dhe zarzavate nga jashtë vendit. Kjo vlerë përben 90 për qind të vlerës së eksportit të këtyre produkteve.
Vlerën më të lartë të importit e shënojnë frutat. Më 2019 u importuan gjithsej 6,8 miliardë lekë. Në tregtinë e frutave me jashtë Shqipëria është deficitare, pasi importon 6,8 miliardë lekë ose gati tre herë më shumë se eksporton.
Shqipëria është suficitare në tregtinë e perimeve dhe zarzavateve pasi eksporton 7,8 miliardë lekë dhe importon 2,5 miliardë lekë në vitin 2019./monitor/