PBDNJ organizoi një tryezë të rrumbullakët më datë 18 janar 2020 për të diskutuar në lidhje me ligjin për respektimin e të drejtave të minoriteteve.
Në këtë tryeze mori pjese dhe kryetari i Komunitetit malazez ne Shqiperi z.Marinko Çullafiq, i cili u shpreh se : ”Minoriteti malazez ka ekzistuar gjithmonë në territorin e Shqipërisë, i përqëndruar më shumë në rajonin e Shkodrës, por për arsye historike dhe përfshirjes me forcë në Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene, më pas në Jugosllavi dhe në vitet ’90 në Republikën e Serbisë dhe Malit të Zi, kjo pakicë është njohur deri vonë si pakicë serbo-malazeze.”
Kryetari i komunitetit malazez foli edhe për regjistrimin e popullsisë përgjatë vitit 2020 ku kërkoi që të shmanget presioni mbi zgjedhjen e lirë të çdo qytetari shqiptar për origjinën e tij etnike.
Gjithashtu u trajtua me rendësi krijimi i Komitetit të ri për pakicat kombëtare si domosdoshmëri për sigurimin e mbrojtjes dhe promovimit të interesave dhe të të drejtave të pakicave kombëtare.
***
Fjala e kryetarit të Komunitetit Malazez, z. Marinko Çullafiq e mbajtur në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga PBDNJ (Partia e bashkimit për të Drejtat e Njeriut) në datë 18 janar 2020.
Të nderuar të pranishëm!
Së pari dëshiroj të falenderoj për ftesën organizatorët e kësaj tryeze për të diskutuar në lidhje me ligjin për respektimin e të drejtave të minoriteteve.
Tashmë me ligjin e ri për të drejtat e pakicave kombëtare, i aprovuar nga parlamenti shqiptar ne vitin 2017, minoriteti malazez njihet si minoritet më vete, një vendim ky i vonuar që duhesh marrë që në vitin 2006 kur Mali i Zi u shkëput si shtet më vete nga Republika e atëhershme e Serbisë dhe Malit të Zi. E vërteta është se minoriteti malazez ka ekzistuar gjithmonë në territorin e Shqipërisë, i përqëndruar më shumë në rajonin e Shkodrës, por për arsye historike dhe përfshirjes me forcë në Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene, më pas në Jugosllavi dhe në vitet ’90 në Republikën e Serbisë dhe Malit të Zi, kjo pakicë është njohur deri vonë si pakicë serbo-malazeze. Nga burimet historike, dhe këtu i referohem profesor Pëllumb Xhufi, në vitin 1921 kur Shqipëria është pranuar në Lidhjen e Kombeve përveç minoritetit grek ka deklaruar si pakicë kombëtare edhe atë malazez.
Gjithësesi ligjërisht sot pakica malazeze njihet midis 9 pakicave të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe përpara na presin sfidat për të fituar të drejtat tona brenda kuadrit ligjor të ligjit për mbrojtjen e Pakicave kombëtare.
Sipas Censusit të vitit 2011 në Republikën e Shqipërisë jetojnë vetëm 366 qytetarë me origjinë malazeze!!! Një numër ky shumë larg numrit real të qytetarëve me origjinë malazeze në territorin e Shqipërisë. E kam lexuar me kujdes atë Census dhe kam vënë re se ka qenë mjaft problematik. Ndërkohë që në formularin e Censusit ekzistonte pyetja opsionale mbi origjinën etnike të qytetarit, qeveria paralelisht nxorri vendimin për aplikimin e gjobave për të gjitha përgjigjet e pasakta mbi origjinën etnike të cilat nuk përputheshin me të dhënat në regjistrat e gjendjes civile. Kjo procedurë është konsideruar si presion mbi zgjedhjen e lirë të çdo personi për përkatësinë e tij etnike.
Me sa kam dëgjuar edhe ju si përfaqësues të pakicave në atë kohë e keni kundërshtuar fuqishëm atë proces të regjistrimit të popullsisë në vitin 2011.
Prandaj për regjistrimin e ri të popullsisë për vitin 2020, për të shmangur presionin mbi zgjedhjen e lirë të çdo qytetari shqiptar për origjinën e tij etnike duhet me patjetër të shfuqizohen dispozitat mbi aplikimin e gjobave.
Një problem aktual që besoj se është dhe arsyja që sot gjendemi të gjithë këtu, është vonesa e pashpjegueshme e krijimit të Komitetit të ri për Pakicat Kombëtare, institucion pa ekzistencën e të cilit, ligji për mbrojtjen e pakicave ngelet vetëm në letra. Një vonesë kaq e gjatë të bën të kuptosh që i gjithë procesi është parë vetëm si një detyrim që Shqipëria të avancojë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Por klasa politike shqiptare duhet të ndërgjegjësohet se vetëm respektimi i plotë i të drejtave të pakicave kombëtare dhe vënia në zbatim i ligjit për mbrojtjen e këtyre të drejtave do ta çojë shoqërinë shqiptare drejt një shoqërie moderne dhe evropiane dhe Shqipërinë në një shtet të denjë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
Gjatë vitit që kaloi bashkë me një përfaqësi të Komunitetit Malazez kemi pasur takime të rëndësishme me funksionarë të lartë të shtetit midis të cilëve spikat takimi me presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta dhe me ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me parlamentin zj. Elisa Spiropali. Në të gjitha këto takime është shprehur vullneti i mirë për të na mbështetur si një minoritet i ri i sapo njohur ligjërisht dhe kemi biseduar gjerësisht në lidhje me ligjin e ri për pakicat kombëtare dhe vonesën e krijimit të Komitetit të ri, që praktikisht na ka lënë jashtë institucioneve. Pra të gjitha këto takime kanë qenë formale.
Shpresojmë që me krijimin e Komitetit të ri, ku ligjërisht pakica malazeze do ketë përfaqësuesin e vet dhe në bashkëpunim me përfaqësuesit e të gjithë minoriteteve të vazhdojmë përpjekjet tona për sigurimin e mbrojtjes dhe promovimit të interesave dhe të të drejtave të pakicave kombëtare.
Ju falenderoj dhe një herë që më dhatë mundësinë të flas në emër të minoritetit malazez dhe shpresoj që në vazhdim të gjithë bashkë të kemi një bashkëpunim konstruktiv dhe afatgjatë!/argumentum.al/
© Argumentum