Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta i është drejtuar Komisionit të Venecias “Për dhënien e një opinioni mbi procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”
Kreu i Shtetit ka informuar Venecian për shkeljet kushtetuese dhe ligjore të Parlamentit për zgjedhjen pa garë të Elsa Toskës dhe Fiona Papajorgjit.
Në pikat që renditen janë se nga Kuvendi nuk ka pasur asnjë reflektim ndaj këshillave të Komisionit të Venecias.
Presidenti nënvizon se ka kërkuar vazhdimisht bashkëpunim dhe zbatim të Kushtetutës por se mazhoranca ka refuzuar bashkëpunimin dhe ka çuar deri në fund skenarin e saj. Ai akuzon Kuvendin se ka tentuar rrëmbimin e kompetencave kushtetuese të Presidentit me qëllim kapjen e Gjykatës Kushtetuese.
“Të dhënat e shtrembëruara dhe pyetjet vetësugjeruese të Kuvendit synojnë lexim të gënjeshtërt të situatës” argumenton presidenti.
Po kështu kreu i shtetit ka dërguar informacion të plotë të dokumentuar, dhe një listë pyetjesh që qartësojnë kushtetutshmërinë e veprimeve të secilit”
Përse kërkoi Venecia përcaktimin në Kushtetutë dhe ligj të rradhës së emërimeve?
Mosrespektimi i radhës a përbën shkelje të gërmës së Kushtetutës?
Cila dispozitë kushtetuese parashikon që një institucion të emërojë disa gjyqtarë kushtetues njëkohësisht?
Kur Qeveria, Kuvendi, të gjitha Bashkitë, Këshillat Bashkiakë dhe thuajse të gjitha institucionet e pavarura, janë në duart e një partie të vetme: a i shërben kapja e Gjykatës Kushtetuese interesit politik për t’iu shmangur kontrollit dhe llogaridhënies?
Në fund Meta shpreh shqetësimin se “Shqipëria në çekuilibër të plotë të mekanizmave të kontrollit dhe balancës, rrezikon kapjen totale të shtetit.
Presidenti i Republikës, gjithashtu ka përcjellë për Komisionin e Venecias një informacion të zgjeruar mbi veprimtarinë e Presidentit të Republikës, Kuvendit të Shqipërisë dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) në lidhje me këtë proces.