Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan gjatë vizitës në Algjeri ka deklaruar se “do të vazhdojmë përpjekjet për të ndalur gjakderdhjen në Libi”.
Erdoğan, në kuadër të vizitave të tij në Algjeri, Gambia dhe Senegal, sot zhvilloi një vizitë në Algjeri ku dhe u takua me presidentin Abdelmadjid Tebboune.
Gjatë konferencës së përbashkët për media me homologun algjerian Tebboune, lidhur me çështjen e Libisë, Erdoğan deklaroi: “Shprehim kënaqësinë për përfshirjen e Algjerisë në procesin e Berlinit. Padyshim që Algjeria do të ofrojë kontribut shumë të vlefshëm dhe konstruktiv në përpjekjen për të siguruar stabilitet në Libi. Edhe ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të ndalur gjakderdhjen në Libi”.
Ai vuri në dukje se Libia është një vend i viktimizuar prej 9 viteve nga problemet me burim Sirinë. “Nuk duhet të lejohet që Libia të bëhet territor për lojërat e organizatave terroriste dhe baronëve të luftës”, tha presidenti Erdoğan.
“Një qasje që kryesisht shpërblen agresorin dhe ndëshkon ata që janë në favor të dakordimit dhe paqes do të jetë katastrofa e Libisë. Fatkeqësisht komuniteti ndërkombëtar nuk ka dhënë një provim të mirë as në Siri dhe as në Libi. Në thellimin e krizës në Libi krahas vendeve evropiane, kanë një rol të madh edhe qëndrimi i pavendosur dhe mosveprimi”, deklaroi Erdoğan.
Në fazën ku kemi arritur, kanë një rëndësi ndjekja e vendimeve të marra në Konferencën e Berlinit dhe zbatimi i tyre në terren tha Erdoğan i cili në përfundim të fjalës bëri të ditur se “Turqia me të gjitha mundësitë që ka do të vazhdojë të qëndrojë pranë vëllezërve të saj libianë”.
Presidendi i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në datat 26-28 janar do të vizitojë Algjerinë, Gambian dhe Senegalin me ftesë të homologëve të tij.
Në bisedime, parashikohet që me vendet në fjalë të diskutohen me të gjitha përmasat marrëdhëniet dypalëshe si dhe të shkëmbehen pikëpamjet rreth zhvillimeve rajonale dhe ndërkombëtare./AA