Në Tiranë publikuan sot të parin Indeks mbi Barazinë Gjinore në Shqipëri, duke plotësuar një kërkesë të Bashkimit Europian në këtë fushë.
Raporti zbuloi se pabarazia gjinore është ende e konsiderueshme në Shqipëri, megjithë rritjen numerike të përfaqësimit të grave në institucionet vendim-marrëse, apo disa përmirësime të tjera.
“Tani kemi një mënyrë për të krahasuar rezultatet midis vendeve të rajonit, me Maqedoninë Veriore dhe Serbinë, që e kanë kryer më herët Indeksin dhe pas pak edhe me Malin e Zi. Krahasimiet shërbejnë për të matur se sa mbërrijnë tek qytetarët strategjitë dhe politikat për zbutjen e dallimeve mes burrave dhe grave. Duke analizuar të dhënat në fushën e parasë, punës, pushtetit, kohës, shëndetit dhe shkollimit, politikëbërësit tashmë mund të gjejnë zgjidhjet e duhura për sfidat e barazisë gjinore,” u shpreh Virginija Langbakk, Drejtoresha e Institutit Evropian për Barazi Gjinore,
Veprimtari Altin Hazizaj, thotë se Indeksi është i dobishëm, por ka një mori fushash në jetën e Shqipërisë ku shkelen të drejtat njerëzore të grave e vajzave. “Ka pak të dhëna se si jetojnë gratë e zonave rurale, por ato janë 40 për qind e banorëve. Po ashtu, ka pak të dhëna për gratë e pakicave kombëtare. Shumë gra dhunohen nga burrat dhe jetojnë mes mungesave të mëdha, të drejtat e tyre shkelen” – tha zoti Hazizaj.
Autorë të Indeksit janë INSTAT, ministria e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, në bashkëpunim me BE-në, Bankën Botëroe dhe disa qendra europiane. Ministrja Ogerta Manastirlliu tha se Indeksi i Barazisë Gjinore 2020 në Shqipëri është një pikë kthese e për t’i bërë të matshme arritjet dhe mangësitë.
“Raporti i parë “Indeksi i barazisë Gjinore 2020 në Shqipëri” është një gur kilometrik për hapat që do të ndërmarrim në këtë aspekt drejt aspiratës tonë për t’u bërë anëtarë të familjes së madhe Europiane.”, – tha zonja Manastirliu.
Ekspertët besojnë se me më shumë indekse rajonale vendet e Ballkanit Perëndimor mund të krahasojnë ecurinë e tyre dhe të mësojnë nga njëri-tjetri.
Shqipëria është e treta mes vendeve të Ballkanit perëndimor që aspiron për në BE që nxori Indeksin e Barazisë Gjinore. Serbia dhe Maqedonia e Veriut i kanë kryer më herët Indekset e tyre.