Ushtria izraelite është përleshur me palestinezët në Bregun Perëndimor të okupuar, të cilët protestonin kundër të ashtuquajturës “Marrëveshja e Shekullit” e propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump, raporton Anadolu Agency (AA).
Protestuesit palestinezë në Al-Khalil (Hebron) në jug të Bregut Perëndimor marshuan drejt pikave të kontrollit të ushtrisë izraelite në qytetin e vjetër.
Përleshje të ngjashme kanë ndodhur në luginën Jordan dhe në hyrje të qytetit Jericho në lindje të Bregut Perëndimor, ku dhjetëra palestinezë pësuan asfiksim të përkohshëm nga gazi lotsjellës i forcave izraelite.
Në veri të Bregut Perëndimor, ushtria izraelite përdori plumba gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë disa demonstrata pranë qyteteve Nablus dhe Qalqiliya, ndërsa protestuesit hidhnin gurë dhe digjnin goma.
Të martën, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, pa praninë e asnjë zyrtar palestinez shpalosi planin e tij për t’i dhënë fund konfliktit izraelito-palestinez.
Plani i Trumpit anulon në mënyrë të njëanshme rezolutat e mëparshme të OKB-së për konfliktin dhe njeh vendbanimet e paligjshme izraelite në Bregun Perëndimor.
Që nga publikimi, mijëra protestues kanë dalë në rrugët e Palestinës për të protestuar kundër planit.