Kreu i opozitës Lulzim Basha ka reaguar pas raportit të ‘Global Talent Competitiveness Index 2020’, i cili evidenton korrupsion in e lartë në Shqipëri.
Në reagimin e tij në twitter, Basha thekson se ky është raporti i 10-të që evidenton korrupsionin e qeverisë dhe problemin me keqqeverisjen.
Sipas tij varfëria dhe korrupsioni po largojnë të rinjtë nga vendi.
Ndërkohë Basha thekson se Partia Demokratike ka propozuar masat emergjente për të cilat vendi ka nevojë për tu çliruar nga korrupsioni dhe varfëria.
Postimi i Bashës:
Global Talent Competitiveness Index 2020, është i dhjeti raport që evidenton korrupsionin e qeverisë si problem për shoqërinë shqiptare. Vendi ynë po zbrazet dhe po braktiset nga të rinjtë dhe të shkolluarit, sepse ka papunësinë, varfërinë dhe korrupsionin më të lartë në Europë.
Por nuk ka pse të jetë kështu. Ne kemi të gjithë potencialin për mirëqenie dhe zhvillim këtu në vendin tonë. Kemi propozuar masa emergjente për çlirimin e ekonomisë, me ligjet anti-mafia dhe anti-oligarki që tregu i lirë të funksionojë për të gjithë, jo vetëm për ca.