Nga e hëna forcat special anti-KÇK do të zbresin në terren. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se trupat kanë 6 muaj që stërviten. Ndaj vendimit të kryeministrit ka reaguar dhe opozita që e konsideron akt anti kushtetues miratimin e ligjit me akt normativ.
Një ditë pas miratimit të paketës së ligjit anti-KÇL, përmes një akti normative, kryeministri Edi Rama deklaron se forcat e rendit që do të angazhohen në zbatimin e tij kanë 6 muaj që i nënshtrohen një trajnimi special. Madje duke postuar në facebook pjesë nga stërvitja ai shprehet se Operacioni Forca e Ligjit del në terren ditën e hënë për të zbatuar në bashkëpunim me SPAK-un, Ligjin Special të sapomiratuar për masat pasurore ndaj personave të dënuar ose akuzuar për krim të organizuar.
“OFL (Operacioni Forca e Ligjit) është Njësia Speciale që pas 6 muajsh trainimesh të specializuara dhe stërvitjeje me ngarkesë të lartë fizike, del në terren ditën e hënë për të zbatuar në bashkëpunim me SPAK-un, Ligjin Special të sapomiratuar për masat pasurore ndaj personave të dënuar ose akuzuar për krim të organizuar”, shkruan Rama.
Por për opozitën futja në fuqi e kësaj pakete përmes aktit normative është shkelje e kushtetutës.
Akti normative lejon zbatimin e menjëhershëm të vendimin, por brenda 45 ditëve do të duhet që ligjet të votohen në kuvend. Deri më tani trupa diplomatike ka deklaruar se nuk kanë koment mbi draftin dhe se nuk kanë pasur dijeni mbi paketën e miratuar.