Lëvizja Vetëvendosja dhe LDK-ja nënshkruan marrëveshjen për bashkëqeverisje. Pjesë e qeverisë së Kosovës janë edhe pakicat përfshirë edhe serbët.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pas më shumë se tre muaj negociatash, arritën të nënshkruajnë marrëveshje për koalicion qeverisës. Të hënën me (03.02) në seancën e caktuar nga kryesia e Kuvendit pritet të votohet qeveria e re me kryeministër Albin Kurtin.
Liderët e dy subjekteve politike, Albin Kurti nga Vetëvendosja dhe Isa Mustafa nga LDK-së, marrëveshjen për koalicionin qeverisës e cilësuan një marrëveshje “të mirë dhe në interes të ndryshimeve që duhet të ndodhin në vend”. Në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të shkuar Vetëvendosja doli partia e parë, ndërsa LDK u rendit e dyta. Sipas marrëveshjes për koalicionin qeverisës, qeveria e re e Kosovës do të ketë 15 ministri dhe jo 12 ministri, siç ishte deklaruar në fillim të negociatave. Gjashtë ministri do t’i ketë Vetëvendosja, gjashtë ministri do t’i ketë LDK-ja, ndërsa tri ministri do t’u takojnë pakicave, dy nga to për serbët e Kosovës. Kryetari i Kuvendit do t’i takojë LDK-së, ndonëse tash për tash kjo pozitë mbahet nga Glauk Konjufca i Vetëvendojes.
Albin Kurti im DW-Interview
“Ne sot u takuam me kryetarin Isa Mustafa dhe u dakorduam që të takohemi edhe nesër për ta zgjedhur qeverinë e re dhe në këtë mënyrë ta jetësojmë ndryshimin e madh politik të 6 tetorit. Ne tashmë kemi nënshkruar marrëveshjen dhe jemi marrë vesh për të gjitha”, tha Albin Kurti. Ai arsyetoi edhe dakordimin se pse qeveria e re do të ketë 15 ministri e jo 12.
“Ne kemi vlerësuar se synimi që të kemi 12 ministri ka qenë synim i drejtë, por kemi thënë që është një tendencë e jona dashamirëse për të kursyer sa më shumë. Mirëpo në anën tjetër, kur kemi analizuar strukturat e ministrive përkatëse, krijimi i disa super ministrive është dëshmuar se është kosto më e madhe se sa t’i kemi 12 ministri”, tha zoti Kurti.
Marrëveshja e sotme e nënshkruar ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së nuk e përfshin edhe çështjen e postit të presidentit. Kjo çështje, sipas kryetarit të LDK-së, është lënë për më vonë.
“Sa i përket presidentit, ne jemi marrë vesh që të mos jetë pjesë e marrëveshjes që sot e kemi nënshkruar, të
Kosovo Isa Mustafa
jetë një çështje që do të dakordohemi unë dhe zoti Kurti si lider politik dhe do ta zgjidhim edhe atë çështje në kohën kur është e domosdoshme që të zgjidhet”, tha Isa Mustafa.
Pjesë e qeverisë së re të Kosovës do të jenë edhe përfaqësuesit e pakicave, përfshirë edhe Listën Srpska. Këta të fundit tashmë janë deklaruar se nuk do ta pengojnë formimin e qeverisë së Kosovës. Në bazë të Kushtetutës dhe vendeve të rezervuara, serbëve u takojnë dy ministri.
Parlamenti i Kosovës mblidhet të hënën për ta votuar qeverinë e re, e cila duhet të marrë më së paku 61 vota nga 120 deputetë sa ka Kuvendi.