Ndërsa Kina dhe Amerika mbështesin kampionët kombëtarë, një dirigjim i ri po përhapet në Europë
Pavarësisht reputacionit të saj si një kontinent ku politikanët dëshirojnë të përzihen në të gjitha aspektet e ekonomisë, Europa është shpeshherë e tërhequr kur bëhet fjalë për mbështetjen e industrive kombëtare, shkruan The Economist. Disa politikanë, veçanërisht në Paris, e mendojnë veten si titanë biznesi që qëndrojnë përherë në prapaskenë dhe që veprojnë në mënyrë sekrete. Por pozicioni i paracaktuar i BE-së është që tregtia dhe investimet e saj të jenë të hapura, duke i ekspozuar firmat në konkurrencën globale. Zbatimi i fuqishëm i antitrustit pengon monopolistët potencialë.
Rregullat më të rëndësishme, si “ndihma shtetërore”, të zbatuara nga Brukseli, parandalojnë që qeveritë kombëtare të favorizojnë firmat e preferuara me reduktim taksash ose me rritje të subvencioneve, ndryshe nga pothuajse çdo vend tjetër. Por kjo deri më tani. Një mendim i ri konsensual është shfaqur në Europë. Sipas tij, kjo qasje e re e hapur nuk po rezulton të jetë aq efikase saç ishte menduar. Argumentohet se ky kontinent “ka humbur drejtimin e varkës së tij teknologjike”, që aktualisht drejtohet dhe mbi të gjitha dominohet nga Amerika. Kina i ka mbrojtur dhe promovuar firmat e saj deri në atë pikë sa ato ia arritën të tejkalonin rivalet e tyre europiane.
Përparime mbresëlënëse në fusha të tilla si kuantika dhe makinat e gjeneratës së ardhshme duket se po ndodhin kudo. A do t’ia arrijë Europa, që duke përdorur instrumentet politike të rivalëve të saj, të përparojë dhe ta bëjë industrinë europiane sërish pjesë të ligave më të rëndësishme? Shumë shpresojnë se ajo do t’ia dalë mbanë. Rezultati do të jetë një qasje e re, një qasje e cila as nuk do të ishte menduar disa vite më parë. Nga njëra anë, Europa po ndjek një proteksionizëm të modelit Trump. Ndërsa nga ana tjetër, po mbështet politika statistikore të shpikura në Francën e shekullit të XVII dhe të përditësuara në Kinën bashkëkohore, të cilat kërkojnë të zgjedhin fituesit, që do të marrin më pas edhe paratë e taksapaguesve.
Le ta nisim me proteksionizmin në rritje. Firmat europiane po përballen ende me konkurrencën, por sipas kushteve të reja. Një sërë politikash, disa prej të cilave kanë vite që mundohen të vihen në zbatim, kërkojnë të kufizojnë tregtinë e lirë, t’i vendosin kufij kësaj të fundit. Qëllimi i tyre është të bëjnë të mundur vendosjen e një baraspeshe në një “fushë lojërash”, të cilën europianët e perceptojnë se po luhet në favor të të tjerëve. “Ne duhet të jemi më pak naivë”, është një prej refreneve më shpesh të përdorura gjatë kësaj kohe në qarqet e ndryshme politike. Ajo çka i bën bashkë politikat është qëllimi i tyre për të ndëshkuar firmat e shteteve të tjera, që sipas Europës nuk po “luajnë” në bazë të atyre që ajo mendon se janë normat globale. Ursula von der Leyen, presidentja e re e Komisionit Europian, ka premtuar se do të miratojë një taksë kufiri ndaj nivelit të karbonit, për të ndëshkuar importet nga vendet me rregullore mjedisore më të lirshme sesa Europa. Duke qenë se firmave europiane u kufizohet marrja e ndihmës shtetërore nga qeveritë e tyre, atëherë disa prej tyre po mundohen që të kufizojnë operacionet europiane të firmave të huaja (d.m.th., të Kinës) që kanë mbështetjen e shtetit.
Firmat europiane gjithashtu do të përfitojnë kur të bëjnë oferta për kontrata publike brenda vendit. Në fakt, rregullat e reja do të penalizojnë firmat nga vendet që nuk arrijnë të japin qasje reciproke ndaj kompanive europiane, më së shumti Kina. Udhëzimet për të kontrolluar investimet e huaja së shpejti do të hyjnë në fuqi, në përputhje me një skemë amerikane, e cila ka kohë që zbatohet. Këto do të mbrojnë disa firma europiane nga marrja e kontrollit, që politikanët e konsiderojnë si të padëshirueshëm. Përtej krijimit të pengesave ndaj firmave të huaja, Europa po gjen mënyra të reja për të mbështetur firmat e veta. Muajin e kaluar, Komisioni miratoi një kërkesë të shtatë qeverive, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, për të shpenzuar 3.2 miliardë euro për një partneritet publik-privat për ndërtimin e fabrikave që do të prodhojnë bateri. Ai që dikur do të kishte qenë një rast i qartë i ndihmës shtetërore, në fakt, u përshëndet me entuziazëm në Bruksel. Qeveritë europiane kanë ndërmend të fillojnë ndërtimin e 25 fabrikave që do të prodhojnë bateri, në mënyrë të tillë që t’i shërbejnë sa më mirë sektorit të automobilëve. Edhe disa “Projekte të tjera të Rëndësishme të Interesit të Përbashkët Europian” janë miratuar ose janë në proces miratimi; ekspertët e Komisionit kanë treguar se cilët janë “zinxhirët e vlerave strategjike” që ka të ngjarë të shikohen në mënyrë sa më të favorshme në të ardhmen. Në mënyrë të mjaft të qartë, zyrtarët europianë po flasin për nevojën e krijimit të një “rrjeti fabrikash për prodhimin e baterive”, një tjetër të telefonisë 5G, iniciativat për nxitjen e inteligjencës artificiale etj.
Në dallim nga projektet e mëparshme të BE-së që financonin kërkimin shkencor, paratë tani po investohen përkrah kompanive. Zyrtarët këmbëngulin se kjo është një mënyrë për të thënë dhe për të treguar se kompanitë europiane nuk mund të ecin vetëm me forcat e tyre, ato kanë sigurisht nevojë për ndihmë. Shumë prej këtyre skemave janë krijuar për të dhënë ndihmesën e tyre në përmbushjen e synimeve ambicioze të ndryshimit të klimës (Europa dëshiron të ketë një nivel zero të ndotjeve ndaj karbonit deri në vitin 2050). Disa industrialistë shpresojnë për një nxitje të mëtejshme: lehtësimin e rregullave të antitrustit. Por, Margrethe Vestager, e riemëruar së fundmi si zv.presidente e Komisionit Europian, rishikoi edhe një herë procesin e miratimit të bashkimit të kompanive të ndryshme me njëra-tjetrën. Mosmiratimi nga ana e saj në shkurt të 2019-s, për bashkimin të mundshëm ndërmjet dy bizneseve hekurudhore të Siemens and Alstom, njëkohësisht edhe dy grupeve të mëdha industriale, bëri që këto të fundit të mbështeteshin më shumë në qeveritë e tyre përkatëse, në Gjermani dhe në Francë. Të paktë janë ata që mendojnë se ndryshimet e propozuara të antitrustit do të jenë aq radikale sa të shoqërohen me ndryshime thelbësore në drejtim të bashkimeve të kompanive të ndryshme me njëra-tjetrën. Por ka sugjerime se Komisioni mund të mos jetë kaq i ashpër në të ardhmen.
Kthesa teutonike
Pse një ndryshim i tillë? Përtej humbjes së perceptuar ndaj Kinës dhe Amerikës dhe supozimit se Europa është më shumë “moskokëçarëse” se këto të dyja, politikanët ndiejnë një zhgënjim të thellë të kontinentit ndaj tregjeve pas krizës financiare, dhe rrjedhimisht më shumë tolerancë për ndërhyrje politike. Edhe dalja e Britanisë nga BE-ja, ka pasur padyshim ndikimin e saj, por arsyeja kryesore është një ndryshim i qasjes në Gjermani. Franca gjithmonë ka lobuar në favor të projekteve të rëndësishme publike dhe të rregullave më pak të ashpra ndaj konkurrencës. Për shumë kohë, Gjermania ka lobuar për qasjen e saj ordoliberale, sipas së cilës shteti vendos rregulla për ekonominë e tregut dhe më pas u lejon firmave që të veprojnë sipas mënyrës që ato mendojnë se është më e mirë për to. Ludwig Erhard, i cili mbikëqyri mrekullinë ekonomike të Gjermanisë Perëndimore në vitet 1950, në postin e ministrit të Ekonomisë, e krahasoi përfshirjen e shtetit në ekonomi me rolin e një arbitri futbolli.
Pikërisht kjo e ka tronditur së fundmi Gjermaninë: firmat kineze që dikur blinin makineri nga kompanitë e mesme gjermane, tani po konkurrojnë me to. Një industri vendase diellore e bazuar në teknologjinë gjermane u shtyp nga subvencionet kineze dhe standardet më të ulëta. Tani ekziston frika se mbetja prapa në drejtim të inteligjencës artificiale dhe prodhimit të baterive, do të vështirësojnë perspektivat e gjigantëve të automobilave. Ministri gjerman i Ekonomisë, Peter Altmaier, vitin e kaluar shkoi edhe më larg se Franca, duke sugjeruar një fond publik që mund të përdoret për të fituar aksione në kompani të caktuara që rrezikohen të përvetësohen nga kompani të huaja. Ky plan u prezantua edhe brenda partisë së tij, por duke qenë se ministri e hartoi vetë pjesën më të madhe të tij, askush nuk u habit nga përmbajtja e tij. Që nga ajo kohë, ai është rishikuar.
Por ndryshimi gjerman, edhe nëse nuk është i plotë, ka ndikuar në ndryshimin e lavjerrësve në drejtimin e Francës. Gjithsesi, kjo situatë do të qartësohet më shumë në mars, kur znj. von der Leyen do të prezantojë “strategjinë e re industriale” për Europën. Disa analistë mendojnë se vendosja e një rendi që përcakton se si Europa duhet të sillet në lidhje me industrinë e saj është disi e vonuar. Edhe në të kaluarën ka pasur shumë përpjekje të tilla, të cilat sot shihen se kanë qenë thjesht justifikime të kota. Por këtë herë, të gjithë presin një ndryshim më thelbësor nga politika.