Presidenti Ilir Meta përshëndet arritjen e marrëveshjes mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës për bashkëqeverisje.
Në një postim në facebook, Meta thotë se një qeverisje e qëndrueshme është në interes, jo vetëm të Kosovës, por edhe të gjithë rajonit.
Meta: Përshëndes ngrohtësisht arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje të Lëvizjes Vetëvendosja (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) si dy parti fituese të zgjedhjeve të përgjithshme të 6 tetorit 2019 në Kosovë. Një qeverisje e qëndrueshme është në interes, jo vetëm të Kosovës, por edhe të gjithë rajonit. Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga z.Albin Kurti i uroj suksese dhe arritje sa më të mëdha në të mirë të Kosovës në sfidat që e presin.
Edhe kryeministri Rama i ka uruar suksese VV-LDK në formimin e qeverisë së re dhe në qeverisjen e Kosovës.
“Uroj të kemi një bashkëpunim sa më të dobishëm për shqiptarët këtej e andej kufirit dhe pres me padurim të shtrojmë në tryezë çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve e të sipërmarrjeve në kufirin tonë” shkruan Rama në twitter.
Krijimin e qeverisë në Kosovë e përshendeti edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha, duke e cilësuar akt ndershmërie dhe pjekurie politike e një vizioni të qartë të drejtuesve të LVV dhe LDK.
Basha: Në emrin tim e të Partisë Demokratike, përshëndes përzemërsisht LVV dhe simotrën tonë LDK për marrëveshjen e arritur. Marrëveshja e sotme është një plotësim i vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Ajo është një akt ndershmërie dhe pjekurie politike e një vizioni të qartë të drejtuesve të LVV dhe LDK. Kjo marrëveshje është përgjigje konkrete e vullnetit për ndryshim i qytetarëve të Kosovës. Partia Demokratike si përgjatë çdo dite të historisë së saj, do të jetë plotësisht në krah e mbështetje të Kosovës dhe udhëheqësisë së saj, sot në opozitë e më fort nesër në qeverisjen e vendit, në sfidat që i kemi përpara dhe që kërkojnë angazhim të sinqertë e bashkëpunim vëllazeror.
Kryemadhi në një reagim uron për një qeveri të qëndrueshme dhe efikase në përballjen me sfidat e mëdha në shërbim të qytetarëve të Kosovës.
Shpreh kënaqësinë dhe përshëndes arritjen e Marrëveshjes për krijimin e qeverisë së re të Kosovës midis Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike. I uroj VV dhe LDK sukses në krijimin e një qeverie të qëndrueshme e efikase në përballjen me sfidat e mëdha në shërbim të qytetarëve të Kosovës, në njohjet e reja dhe integrimin e mëtejshëm në organizatat rajonale e ndërkombëtare. Uroj gjithashtu që mes dy vendeve tona të rritet më tej bashkëpunimi dhe integrimi në të mirë të të gjithë qytetarëve, si dhe për forcimin e paqes dhe prosperitetit në të gjithë rajonin.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, hodhën të dielën nënshkrimet në marrëveshjen për formimin e qeverisë së re për të cilën do të votohet të hënën në parlamentin e Kosovës.
Sipas marrëveshjes, qeveria e re do të ketë 15 ministri dhe nga to, Vetëvendosje do t’i ketë gjashtë syresh, po aq sa edhe Lidhja Demokratike, ndërsa 3 ministri do ti kenë pakicat.
Sipas marrëveshjes, posti i kryetarit të parlamentit do t’i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe sipas zotit Kurti, kryetari aktual, Glauk Konjufca do të marrë një post qeveritar.