Këtë rubrikë të parë, përgatitur nga Dr. Jorgji KOTE, po e çelim me komente “ shkurt dhe shqip” mbi 6 ngjarjet kryesore të Janarit, sipas rendit kronologjik.
***
-BREXIT: Ngjarja epokale e muajit dhe vitit ishte largimi zyrtar i Britanisë së Madhe nga BE-ja më 31 Janar. Kjo e fundit u zvogëlua me 66 milion banorë ose mbi 10 për qind tè popullsisë dhe me 5,5 për qind te sipërfaqes, me shumë pasoja të tjera serioze. Tani e tutje BE dhe Britania e Madhe do të jenë aleatë dhe konkurentë të mëdhenj të ndarë. Por nëse suksesi do të anojë nga Britania, kjo do të nxiste vende të tjera për largim dhe anasjelltas. Një sfidë e jashtëzakonshme për BE-në, me plot të panjohura dhe probleme të tjera të mëdha brenda dhe jashtë. Por dhe një mundësi e madhe për të bërë përpara po të kihen parasysh pengesat e vazhdueshme të Londrës zyrtare.
***
-Takimi Merkel – Rama në Berlin më 27 Janar ishte pjesë e lobimit aktiv të qeverisë për sigurimin e ndihmave financiare pas tërmetit të 26 Nëntorit. Shuma prej 1 miliard Euro dëme e vlerësuar nga institucionet më prestigjioze ndërkombëtare duket se nuk do të mbulohet dot nga donatorët në Konferencën e Brukselit më 17 Shkurt. Shpresohet me të drejtë që Merkel mund të ndikojë te partnerët në BE që megjithë hallet e tyre të shumta “ ta zgjidhin qesen” për ne.
Këtë mungesë Merkeli e kompensoi me “karrotën” e mbështetjes për reformën në drejtësi. Pavarësisht nga vonesat dhe mangësitë, meqenëse Gjermania, BE dhe SHBA janë investuar së tepërmi, ato janë të vendosura t’i shkohet deri në fund reformës së drejtësisë. Po ashtu, Merkel rikonfirmoi qëndrimin e njohur gjerman për çeljen e negociatave, ndonëse gjithçka është në dorën e Francës dhe kompromisit të pritshëm me rastin e metodologjisë së re të zgjerimit që Komisioni Evropian do ta bëjë publike më 5 Shkurt.
Megjithatë, krahas “ karrotës” ka shumë të ngjarë që Merkel të ketë shprehur dhe rezervat e saj në takim për krizën politike dhe rolin e mazhorancës. Njihet zakoni i BE-së dhe Gjermanisë që “ karrotën” e bëjnë publike, kurse “ shkopin” e tregojnë në konfidencë dhe jashtë publikut, normale sipas realpolitikës.
***
-Takimet e Kryeministrit Rama në Tiranë më Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel më 24 Janar dhe me Presidenten e Komisionit Evropian, Von der Leyen në Bruksel më 28 Janar kishin kryesisht vlera njohëse për drejtuesit e rinj më të lartë evropianë, shprehjes së solidaritetit mbas tërmetit, si “ nxemje” për Konferencën e Donatorëve dhe nxitjes për vazhdimin e reformave, si domosdoshmëri për çeljen e negociatave. Asgjë më tepër nuk pritet as nga vizita e sotme në Tiranë e Presidentit të Parlamentit Evropian David Sassoli në Tiranë.
***
-Më 24 Janar, Presidenti turk Erdogan priti Kancelaren gjermane Merkel në Ankara fill pas takimit të tyre në Samitin e Berlinit mbi Libinë më 19 Janar. Merkel synon të “mbajë me gajret”, ose të qetësojë Erdoganin lidhur me shqetësimin e tij për livrimin e fondeve të BE-së për mbi 2 milion refugjatë që Turqia strehon prej vitesh. Gjithashtu Merkel dhe BE-ja synojnë ta mbajnë atë të angazhuar për zgjidhjen politike paqësore në Libi. Sepse pa Turqinë që mbështet qeverinë e ligjshme libiane dhe Rusinë që është në anën e gjeneralit rebel Haftar nuk mund të ketë zbatim të Dokumentit me 55 pika të Samitit të Berlinit dhe as paqe në Libi.
***
-Pakti amerikan i Paqes i shpallur 28 Janar: Pa qenë nevoja për analiza shteruese, ai nuk ka ngjashmëri as në përmbajtje dhe as në format, madje I kundërvihet Marrëveshjes së Paqes të vitit 1993 mes Clintonit dhe të dyja palëve në Shtëpinë e Bardhë dhe demarsheve të mëvonshme amerikane. Është plan paqeje i njëanshëm, i dakordësuar vetëm me Izraelin. Ai bie ndesh dhe me klauzolat e OKB-së, sepse njeh Jerusalemin si kryeqytetin e pandarë të Izraelit bashkë me vendbanimet e paligjshme hebre në Bregun Perendimor të Lumit Jordan, etj. Ndonëse njeh Shtetin palestinez, e ndan atë në copa, me kryeqytet një pjesë të lënë më njanë në Jerusalemin Lindor, ndonëse ai do të vihet nën kontrolin izraelit. Këtë Plan, veç përmbajtjes, e kompromenton dhe koha e papërshtatshme e shpalljes.
Presidenti Trump është në vitin zgjedhor dhe në procedurat e shkarkimit të mundshëm, kurse Netianahu do të zhvillojë të tretat zgjedhje parlamentare brenda vitit dhe është në ndjekje penale pas akuzave të drejtësisë izraelite. Ja pse, Plani Trump shihet më tepër si një demarsh/rrugëdalje për konsum të brendshëm politik dhe publik. Ndaj, as mosndërtimi i vendbanimeve të reja izraelite në 4 vitet e ardhëshme dhe bonusi prej 50 miliard Dollarë për Palestinën të parapara në këtë Plan nuk e zbutin dot lidershipin e saj; ky i fundit, jo vetëm e ka hedhur poshtë planin, por sapo ka njoftuar ndërprerjen e çdo marrëdhënieje me SHBA-të dhe Izraelin. Reagime të shumta negative ka dhe në rajon e më gjerë. Turqia e ka konsideruar planin “ “ të vdekur qysh në lindje” Liga Arabe do të mblidhet së shpejti tejet e shqetësuar, kurse BE është shprehur tejet e përmbajtur, duke theksuar rëndësinë e një paqeje të qëndrueshme mes palëve, duke nënkuptuar se ky plan nuk e realizon atë qëllim. Kësisoj, ka rrezik që paqja e supozuar të mbetet vetëm në letër.
***
-Vizita e parë e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrell në Prishtinë dhe Beograd, më 30 – 31 Janar ishte thjesht njohëse, sidomos në Kosovë, ku ai nuk kishte shkelur më pare, sepse Spanja mban qëndrim tejet refraktar ndaj saj. Asgjë konkrete nuk mund të pritej. Sepse Kosova është ende pa qeveri, Serbia përgatitet për zgjedhjet pranverore parlamentare dhe nuk ka lëvizur as një centimetër nga qëndrimet e saj politike kundrejt Kosovës.
Borrell konfirmoi në pârim vazhdimin e rolit kryesor të BE-së në Ballkanin Perendimor. Për më tepër, se krahas konkurencës amerikane dhe ruse, edhe perspektiva e shpejtë e antarësimit të këtyre vendeve në BE, si alternativa me avantazhe krahasuese më të mira tashmë është vënë në dyshim për shkak të Metodologjisë së re shumë më të ngurtë të zgjerimit të BE-së që do të bëhet e njohur këtë javë./argumentum.al/
© Argumentum