Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas betimit ka mbajtur edhe një fjalë rasti para deputetëve të cilët kanë votuar për krijimin e institucioneve të reja.
Sot kanë fituar qytetarët. Sot pushtetin e shtetin e ka fituar populli. Ne jemi kalimtar e shërbëtor që punojmë në emër të popullit e për popullin. Populli mbetet i përhershëm e ne jemi të zëvendësueshëm.
Unë zotohem këtu para jush që do të jap maksimumin për të mirën e të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim.

Pavarësisht kënd e keni votuar unë do të dëgjoj zërin tuaj, sidomos kur nuk pajtohemi. Sot fillon rruga jonë e punës së palodhshme për të sjellë ndryshimin.
Sot mbaron mënyra e vjetër e të bërit politikë dhe fillon një etapë e re e të bërit qeveri.
Nga sot ka një lidership të ri, që i konsideron aleatë ata që tregojnë zero tolerancë ndaj korrupsionit.
Le t’i mbajmë pushtetet e ndara në një shtet të përbashkët.
Populli na ka zgjedhur të punojmë për interesat e tyre dhe jo për interesa personale a grupore.
Ata që na njohin, u themi që do të fuqizojmë partneritetin. Ata që hezitojnë të na njohin u themi që do të punojmë ta marrim njohjen tuaj.
Ata që synojnë ta na ndajnë e mohojnë, u them që Kosova ka një kryeministër të ri dhe që ajo kohë ka mbaruar. Ne synojmë bashkërisht anëtarësimin në BE dhe NATO, e kultivim të aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nga sot do të flasim më pak e do të punojmë shumë më shumë.
Ambasadorët e ShBA dhe Gjermanisë përshendesin formimin e qeverisë Kurti
Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka uruar zgjedhjen e qeverisë së re të Republikës së Kosovës.
Përmes një postimi në Tëitter ai ka thënë se mezi pret që të punojë me të gjitha institucionet e Kosovës, palët e tjera dhe palët e interesuara të shoqërisë civile për të forcuar drejtësinë dhe prosperitetin në Kosovë.
Gjithashtu, siç ka thënë tutje Kosnett, ai pret edhe bashkëpunim për të ndihmuar Kosovën të ndërtojë marrëdhënie paqësore me fqinjët e saj.

“Urime për formimin e qeverisë së re. Mezi pres të punoj me të gjitha institucionet e Kosovës, palët e tjera dhe palët e interesuara të shoqërisë civile për të forcuar drejtësinë dhe prosperitetin dhe për të ndihmuar Kosovën të ndërtojë marrëdhënie paqësore me fqinjët e saj”, ka shkruar Kosnett.
Edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë thotë se pret me padurim të vazhdojë bashkëpunimin, duke mbështetur sundimin e ligjit në Kosovë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
“Urime Qeverisë së re të Kosovës për themelimin e saj në seancën e sotme të Kuvendit!
Si një partner i gjatë i institucioneve të Kosovës, Ambasada Gjermane mezi pret të vazhdojë bashkëpunimin tonë, duke mbështetur sundimin e ligjit në Kosovë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Ne inkurajojmë qeverinë e re të fillojë zbatimin e agjendës së saj ambicioze të reformës për këtë vend dhe të rifillojë dialogun me Serbinë në një proces negociues të strukturuar mirë dhe të lehtësuar nga BE.
Për të gjitha këto procese thelbësore, të brendshme dhe të jashtme, Gjermania është e gatshme të mbështesë Qeverinë e Kosovës dhe popullin e Kosovës”, thuhet në urim.
Kuvendi i Kosovës me 66 vota për dhe 10 abstenime e votoi Qeverinë e Re të Republikës të udhëhequr nga Albin Kurti.
Të pranishëm në seancë ishin 76 deputetë, kurse para votimit, seancën e kanë braktisur deputetët e PDK-së dhe AAK-së.
Pas votimit, kabineti qeveritar ka bërë betimin solemn.
Qeveria Kurti e votuar tashmë në Kuvendin e Kosovës ka dy zëvendëskryeministra, 15 ministra dhe 33 zëvendësministra.
Zgjedhja e Kurtit kryeministër, e uron dhe Presidenti Thaçi
“E mirëpres votimin e sotëm të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për krijimin e Qeverisë së re. Duke uruar kabinetin e ri qeveritar, i ftoj të fillojnë sa më shpejt punën për përmbushjen e premtimeve të dhëna karshi qytetarëve, duke kompensuar ditët e humbura dhe vazhduar angazhimin institucional për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë”, ka shkruar Thaçi.

“Republika e Kosovës ka sfida të shumta përpara të cilat mund të tejkalohen vetëm me punë, me përkushtim, me përgjegjësi dhe përgjegjshmëri shtetërore”, thuhet më tej në shkrimin e Presidentit.
Kreu u BDI, Ali Ahmeti uron Albin Kurtin: Te unë do të gjesh partner të sinqertë dhe mbështetje
Pas votimit si kryeministër i Kosovës, Albin Kurtin e ka uruar edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Përmes një letre drejtuar Albin Kurtit, Ali ahmeti shkruan se të BDI, Kurti do të gjejë një partner të sinqetë dhe mbështetje në drejt të realizimit të synimeve.
Ali Ahmeti: I dashur Albin, nëpërmjet të këtyre rreshtave desha të të përcjell uratat më të sinqerta nga të gjithë ne pranë Bashkimit Demokratik për Integrim për zgjedhjen Kryeministër i Republikës së Kosovës dhe të të uroj shëndet, mandat të suksesshëm dhe të mbarë.
Ne jemi takuar shpesh dhe kemi diskutuar gjerë e gjatë duke këmbyer mendime për zhvillimet politike, sfidat dhe qëllimet tona të përbashkëta.

Ti e di se tek unë dhe tek të gjithë ne në Bashkimin Demokratik për Integrim do të gjesh partner të sinqertë dhe mbështetës në drejtim të realizimit të synimeve që i ndajmë dhe përpiqemi ti jetësojmë bashkë.
Duke shprehur konsideratën time të lartë dhe i vetëdijshëm për punët e mëdha që e presin Kosovën dhe rajonin, të uroj maturi dhe mbështetje të gjerë dhe me sinqeritetin më të madh të shtrij dorën e bashkëpunimit dhe përkrahjes.
Qeveria Kurti mori ditën e sotme votën e 66 deputetëve, ndërkohë 10 abstenime.
Qeveria e re do të ketë 15 ministri, 6 nga Lëvizja Vetëvendosje, 6 nga Lidhje Demokratike të Kosovës dhe tri nga minoritet.