Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, rithekson se tarifa doganore 100% ndaj mallrave të Serbisë do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se ky ndryshim do të ndodhë shumë shpejtë në bashkëpunim me Doganat e Kosovës.
“Tarifa 100% ndaj mallrave të Serbisë do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit. Tarifa 100% hiqet porsa të vendoset reciprociteti. Shumë shpejt fillojmë t’i përgatisim Doganat e Kosovës për këtë. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës e kam shprehur vullnetin që ta heqim tarifën 100%. Pres që Serbia të deklarohet se ka vullnet për ndaljen e fushatës për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës.”
Dje i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, përmes një postimi në Twitter, i tha kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, se taksa ndaj mallrave serbe duhet të hiqet dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka të drejtë në këtë drejtim.
“Kadri, Shtetet e Bashkuara po kërkojnë që Kosova të heqë tarifat 100%. Ajo e dëmton Kosovën dhe pengon bizneset në krijimin e vendeve të punës. Albini ka të drejtë për këtë”, shkruante Grenell.
Heqja e takësës është kundërshtuar liderët e dy partive opozitare.
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili edhe vendosi taksën 100% ndaj mallrave serbe, shkruajti një letër të hapur kryeministrit Kurti, përmes së cilës i kërkonte që mos hiqte taksën. Njësoj është deklaruar edhe lideri i PDK-së, Kadri Veseli.