Çfarë impakti do të ketë metodologjia e re e Komisionit Europian për zgjerimin në rrugën integruese të Shqipërisë? Tre ish-ministra të Jashtëm e shohin të përkthyer ndryshe dokumetin e KE tek vendi ynë.
Paskal Milo nuk e fsheh skepticizmin e tij: “Nuk e shoh si lehtësim dhe është e padiskutueshme që ato vende që kontestuan procedurën e vjetër të anëtarësimit e bënë këtë thjesht për të shtuar filtrat”.
Në ekstremin tjetër Tritan Shehu, që është i bindur se metodologjia e re për negociatat e anëtarësimit do të ndikojë pozitivisht për Shqipërinë: “Nuk mendoj se është frenim për integrimin e Ballkanit Perëndimor. Integrimi nuk është proces kolektiv, por individual. Kjo hedh në kosh idenë për krijimin e Jugosllavisë së re, apo siç e quan Rama, Shengeni Ballkanik”.
Ndryshe nga dy kolegët e tij, Edmond Panariti ka një qasje më të moderuar: “Shtete të veçanta kanë listën e tyre dhe në çdo kohë mund të ndërhyjnë në proces për ta anuluar apo për ta kthyer mbrapsht”.
Çfarë i bën bashkë në një mendje ish-kryediplomatët është fakti se Shqipëria do të jetë më e ekspozuar ndaj humoreve politike të vendeve anëtare të BE-së. Por, rrugëdalja është e qartë: “Të përmbushim standardet tona”.
Në mesjavë, Komisioni Europian prezantoi metodologjinë e re për negociatat e anëtarësimit, që e kthen procesin nga një vlerësim teknicienësh në Bruksel, në një natyrë më politike. Vendeve kandidate si Shqipëria u paraqiten kushtëzime të qarta dhe negociatat mund të ndalen nëse një shtet nuk avancon me detyrat që i caktohen. /a2cnn