Një ndër çështjet më të rëndësishme dhe më të ndjeshme për një ekonomi është pabarazia e të ardhurave.
Në Shqipëri, por edhe në shumicën e vendeve në zhvillim, ekziston perceptimi se pabarazia është më e madhe se në ekonomitë e zhvilluara.
Në vija të përgjithshme, kjo është e vërtetë, por jo gjithmonë ekonomitë më të pasura kanë më shumë barazi.
Teknika kryesore që përdoret në statistika për matjen e pabarazisë është koeficienti Gini, që mban emrin e statisticienti italian që e ndërtoi, më shumë se një shekull më parë.
Koeficienti Gini ka një shkallë nga zero deri në 100, ku zero nënkupton barazinë e plotë, ndërsa 100 pabarazinë e plotë. Mbështetur në të dhënat e Instat, për vitin 2018 koeficienti Gini për Shqipërinë ishte 35.4%, në rënie nga niveli 36.9% i vitit 2017, raporton SCAN.
Kjo nënkupton se pabarazia ka ardhur në rënie. Sidoqoftë, Shqipëria ngelet një vend me pabarazi më të madhe krahasuar me ekonomitë më të zhvilluara. Për vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), që përgjithësisht pranohen si vendet me ekonomi më të zhvilluara, mesatarisht indeksi Gini është në nivelin 31%, ose 4.4 pikë përqindje më i ulët se në Shqipëri.
Për Bashkimin Europian, mesatarja e indeksit Gini është pothuajse në të njëjtin nivel. Vendet me pabarazinë më të ulët, sipas OECD-së, janë Sllovenia, Sllovakia dhe Republika Çeke, ku indeksi Gini qëndron poshtë nivelit të 25%.
Në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, të dhënat janë mikse dhe jo plotësisht të përditësuara. Megjithatë, mbështetur në të dhënat e Eurostat dhe Bankës Botërore, nivelin më të ulët të pabarazisë në rajon e ka Kosova, me 29%, edhe më pak se mesatarja e BE-së dhe OECD-së. Ekonomia e dytë me pabarazinë më të ulët është Maqedonia e Veriut, me 31.9%. për Bosnje Hercegovinën koeficienti Gini është 32.7%, por kjo shifër i takon vitit 2015, ndërsa nuk ekzistojnë të dhëna të përditësuara për vitet e fundit.
Serbia dhe Mali i Zi janë në intervalin 35%-36%, duke qenë në nivele të përafërta me Shqipërinë. Mbështetur në këto të dhëna, mund të thuhet se Shqipëria është një nga ekonomitë me pabarazinë më të madhe të të ardhurave në Europë.