Pak muaj më parë qeveria shqiptare bëri të ditur nismën për paketën antishpifje, duke këmbëngulur në rregullin sidomos në median elektronike.
Madje nuk kanë munguar as deklaratat se kjo vjen për shkak se nuk u realizua vetë rregullimin. Madje për shkak të debateve me grupet e interest drafti u dërgua për mendim në komisionin e Venecias.
Por për të zhvilluar një media etike, 19 përfaqësues të televizioneve apo dhe platformave elektronike u bënë bashkë për të realizuar pikërisht procesin vetërregullues por dhe për të mbrojtur të drejtën e personave që mund të konsiderohen të prekur.
Koloreto Cukali: Në 19 mediat që nënshkruajnë dhe bëhen pjesë e aleancës, qytetarët shqiptarë do të kenë mundësinë të ankohen. Ankesat e tyre do të merren, do të shqyrtohen nga një bord me integritet.
Nisma për ligjin antishpifje ka lënë të pakënaqur dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Luigi Soreca: Vetërregullimi është po ashtu mënyra që gazetarët të përfitojnë pronësinë e standardeve të tyre profesionale, duke e bërë këtë gjë vetë, pa përfshirë qeverinë, partitë apo influenca të tjera. Kjo është një nismë që ka ardhur në kohën e duhur, ndërkohë që ligji i medias është në diskutim e sipër. Kemi kërkuar që kjo nismë të marrë parasysh edhe rekomandimet e KiE dhe në veçanti të jetë në harmoni me standardet e lirisë së shprehjes, një gjë që ende duhet siguruar. Është e rëndësishme që ky debat të jetë i hapur dhe ne do ta ngremë fort zërin tonë.
Për të pasur një media jo vetëm etike por dhe të mbrojtur në tryezë u kërkuar që aleanca të ndërhynte dhe në rastet kur politikanët, apo individë të caktuar ushtrojnë presion të padrejtë ndaj medias.
Brahim Shima: Bordi duhet të ketë edhe një detyrë shtesë që ti japë suport medias në presionin që bëhet nga politika apo nga personazhe të tjera. Shpesh media gjendet përballë ofendimeve, përballë kërkesave të pakuptimta.
Sonila Meço: Një aleancë gazetarësh jo vetëm kombëtare por dhe ndërkombëtare është një alarm i fuqishëm dhe për vendet ku liria e medias ka rekorde më të mira se e jona.
Aleanca për median etike do të drejtohet nga një bord me ekspertë nga fusha e medias dhe juristë, ndërsa anëtarët e saj marrin angazhimin për të respektuar etikën në ushtrimin e detyrës