Mbledhja e tretë e qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, sjellë Prishtinën përsëri me kabinet të ri qeveritar. Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës së tij të parë zyrtare të martën në Shqipëri deklaroi se kanë rënë dakord me homologun e tij, Edi Rama që të formojnë një Komision Ndërshtetëror të përbërë nga ministra dhe deputetë.
Ambasadori i Kosovës në Shqipëri Nait Hasani ishte i ftuar në studion e emisionit “Good Morning Albanians” në Euronews Albania, ndërsa foli rreth marrëveshjeve të nënshkruara mes dy shteteve e qeverive, të cilat në praktikë duket se nuk kanë gjetur akoma zbatim. Ai theksoi se qeveria e Kosovës deh ajo e Shqipërisë duhet të punojnë për të vënë në zbatim marrëveshjet e firmosura më parë, në të gjithë sektorët e mundshëm.
“Është një çështje mjaft e ndjeshme mes Kosovës dhe Shqipërisë, si komb dhe si dy institucione shtetërore. Ne kemi nënshkruar mjaft marrëveshje, diku rreth 77 marrëveshje janë nënshkruar mes Kosovës dhe Shqipërisë, mes qeverive, të cilat këto marrëveshje thuajse nuk kanë gjetur zbatueshmëri. Është një çështje e neglizhencës nga dy insitutucionet shtetërore, nga dy qeveritë, mendoj që se do të duhet të kenë një hap më të madh në zhvillimin e tyre dhe të arritjes së zbatueshmërisë së tyre. Është njoftuar se do të ketë edhe një mbledhje qeverie të përbashkët në Shkodër nga fundi i marsit dhe do të analizohet se cilat marrëveshje kanë gjetur zbatim, dhe cilat marrëveshje nuk kanë gjetur zbatim, që t’i vendosim në agjendën për zbatueshmëri”-tha z. Hasani.
Por, cilët faktorë janë bërë shkak për mosarritjen e marrëveshjeve të firmosura mes Kosovës dhe Shqipërisë, për këtë ambasadori Hasani dha këtë shpjegim: “Nuk mendoj që ka pasur ndoshta një vullnet ekzekutiv, por ka pasur një vullnet deklerativ të nënshkrimit të marrëveshjeve, të cilët nuk janë parashikuar pengesat që mund të vijnë nga institucionet e tjera vartëse. Tani ka ardhur një moment, që duhet të detyrohen institucionet vartëse që të zbatojnë këto marrëveshje. Këtë mund ta bëjnë kryeministrat dhe të detyrojnë ministritë, institucionet, të gjithë të tjerë për të vijuar me këto marrëveshje me zbatueshmërinë e tyre ose rishikimin e tyre për të parë se ku nuk ka mundur të zbatohen”-u shpreh ai.
Gjithashtu ambasadori i Kosovës, Nait Hasani, komentoi edhe raportet mes Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe atij të Kosovës Albin Kurtit. Ai theksoi faktin se nuk ka pasur përplasje mes tyre gjatë vizitës që zhvilloi Kurti në Tiranë, por tha se qëndrimi i tyre, ka qenë i unifikuar sa i takon zbatueshmërisë së marrëveshjeve të firmosura nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Unë mendoj që nuk ka pasur tensionim. Kam qenë pjesë e takimeve. Ata kanë qenë konstruktivë në takim edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Te dy kanë qenë shumë konstruktivë në debatin për zbatueshmërinë e marrëveshjeve. Për mua me rëndësi është që të dy kryeministrat kanë pasur një qëndrueshmëri shumë të mirë; të afrimit, të bashkëpunimit, të koordinimit, të zgjidhjes së problemeve dhe zbatueshmërisë së marrëveshjeve, në të cilat është diskutuar edhe për arsimin, tregtinë, për doganën dhe të ardhmen e vendit”, u shpreh z. Hasani.
Me tjerash, ambasadori i Kosovës në Shqipëri Nait Hasani u ndal tek veprimet kriminale që ka kryer Serbia ndaj popullsisë civile shqiptare. Sipas tij, Serbia duhet të kërkojë falje për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës gjakatare të vitit 1999.
Ambasadori kosovar ka qenë i burgosur politik nën regjimin serb. Sipas Hasanit, Serbia duhet të ndjekë shembullin e Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, e cila përmes kancelarit Willy Brandt kërkoi falje për krimet e Luftës së Dytë Botërore dhe i hapi rrugë zhvillimit të fuqishëm të Evropës Perëndimore./euronews.al