Shefi i diplomacisë së BE-së thotë se unioni do të ndihmojë Kosovën dhe Serbinë në procesin e bisedimeve, por u mbetet palëve të punojnë drejt arritjes së një marrëveshjeje. Josep Borrell flet me zili për rolin që ShBA-ja ka marrë rreth dialogut.
Bashkimi Evropian shpreson që dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do nisë së shpejti.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë” tha se ai me gjasë do të mandatojë ish-ministrin e Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak, për ndërmjetës të palëve.
“Nuk ka rëndësi se kush do të jetë, por mendoj se na duhet dikush që e njeh rajonin, që është një diplomat me eksperiencë dhe që ka vullnet të angazhohet sepse e dini se kjo punë kërkon punë 25 orë në ditë, çdo ditë. Nuk mund të punoni për një javë dhe të shkoni të bëni diçka tjetër,” shprehet Burej.
Për t’u ulur në tryezë, BE-ja, njësoj si Shtetet e Bashkuara, kërkon që Kosova të heqë dorë nga qasjet maksimaliste dhe që Serbia të ndalë fushatën kundër shtetit të pavarur kosovar.
Mesazhet i ka intensifikuar së fundmi i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë, ndërsa i ka ndihmuar palët të arrijnë një numër marrëveshjesh të munguara të sferës ekonomike.
Kjo përfshirje e amerikanëve duket se ka xhelozuar edhe ndërmjetësen e vjetër, BE-në, që tenton të normalizojë raportet e tyre fqinjësore prej 2011-ës.
“Pyetini ata pse janë të përfshirë. Pikësëpari ne jemi duke paguar shumë më shumë para. Ne jemi duke e mbështetur Kosovën me më shumë burime financiare,” shton Burej.
Komentet e Borrell u bënë në kuadër të Konferencës së Sigurisë që u mbajt në fundjavë në Mynih të Gjermanisë, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç secili u qëndroi besnik pozicioneve të kahershme.