Kosova festin sot 12-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Më 17 shkurt 2008, deputetët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës shpallën vendin shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Ky akt u kontestua nga Serbia e cila kërkoi edhe vlerësimin e ligjshmërisë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Në korrik të vitit 2010 kjo gjykatë konstatoi se Deklarata e Kosovës për Pavarësi nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Nga viti 1999 kur edhe Kosova u çlirua nga Serbia deri në shpalljen e Pavarësisë, vendi u administrua nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara UNMIK, ndërsa pati paralelisht institucionet e saj demokratike – Kuvendin, Presidentin dhe Qeverinë.
Në një ceremoni të veçantë dhe në prani të Kryeministrit, Albin Kurti dhe Kryetares së Parlamentit, Vjosa Osmani, mëngjesin e sotëm është ngritur flamuri i Kosovës në ndërtesën e qeverisë.
Gjatë ditës së sotme janë parashikuar aktivitete të shumta me rastin e 12-vjetorit të Pavarësisë, përshirë vendosjen e kurorave në memorialin e Adem Jasharit. Ndërsa në mesditë në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seancë solemne.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me anë të një postimi në rrjetet sociale shpreh nderim për të rënët në luftën për pavarësi. “Urime ditën e bekuar të Pavarësisë së Kosovës të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen dhe i përjetshëm qoftë kujtimi i atyre që dhanë jetën për këtë ditë”, shkruan z. Rama.
Presidenti, Ilir Meta i ka dërguar një letër me këtë rast homologut të tij, Hashim Thacci, ku i uron 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Z. Meta thekson në mesazhin e tij se, bashkë me konsolidimin e shtetit, pret thellimin e bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë.
“Kosova ka hyrë tashmë në dekadën e dytë të saj si shtet i pavarur dhe sovran, me një demokraci edhe më të gjallë e dinamike. Kjo etapë e re e konsolidimit të shtetit të Kosovës jam i sigurt se do të shoqërohet me një hov të ri edhe në marrëdhëniet vllazërore dhe bashkëpunimin ndërmjet nesh, në përçim të vlerave më të mira kombëtare dhe europiane”, shprehet Presidenti i Shqipërisë.
Ndërsa ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, nëpërmjet një postimi në Facebook shkruan: “Të dua pafundësisht Kosova ime! Je ndërgjegjja më e lartë e kombit e ëndrra më frymëzuese që nuk shuhet kurrë! T’i gëzosh vitet e mëvetësisë për jetë e mot!”
Presidenti, Hashim Thaçi duke kujtuar këtë ditë thotë se për të ardhur deri te 17 shkurti 2008 u deshën përpjekje, mund dhe sakrifica të mëdha për shumë breza me radhë.
“Në fund të shekullit të njëzet populli ynë me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me përkrahjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të shteteve të Europës, tërë botës demokratike e liridashëse, me intervenimin e NATO-s u çlirua përfundimisht nga okupimi dhe represioni i Serbisë”, shkruan Kreu i Shtetit të Kosovës në Facebook.
Brenda një periudhe tranzicioni, në bashkërendim me miqtë ndërkombëtarë, Kosova shpalli Pavarësinë dhe brenda një kohe të shkurtër u njoh nga shtetet më të fuqishme të botës, nga demokracitë më të avancuara të globit.
“Gjatë këtyre dymbëdhjetë viteve Kosova ka shënuar të arritura të mëdha në rrafshin nacional, në konsolidimin e institucioneve, përparimin ekonomik, në kultivimin e marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe funksionimin e shtetit ligjor”.
Thaçi thotë se në planin e jashtëm Kosova ka luajtur dhe luan rol paqësor, duke qenë faktor i stabiliteti në rajon.
“Kosova ka arritur të jetë pjesë e shumë institucioneve ndërkombëtare, me synim të qartë për integrim të plotë në BE, NATO dhe KB“.
Integrimi në institucionet euroatlantike mbetet e vetmja alternativë.
“Kosova ka gatishmëri që të jap kontributin e saj në arritjen e normalizimit të marrëdhënieve me shtetin e Serbisë, përmes ndërmjetësimit të BE-së dhe ndihmës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Edhe në këtë përvjetor, shprehet Thaçi, si gjithmonë Kosova shpreh falënderimet e thella dhe mirënjohje për shtetet mike, që e përkrahën në ditët e vështira, për shtetet mike që e ndihmuan dhe e ndihmojnë edhe në këtë fazë drejt procesit të integrimeve euroatlantike. Kosova nuk harron kurrë sakrificën e mijëra dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, invalidëve, të mijëra martirëve dhe të qytetarëve që u sakrifikuan për lirinë dhe Pavarësinë e saj.
Kosova ka hyrë në dekadën e dytë të pavarësisë me besim, shpresë dhe bindje për një ardhmëri më të mirë dhe më të sigurt.