I dërguari i Posaçëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer prezantoi në Konferencën e Donatorëve ndihmën që SHBA do të japin për Shqipërinë. Palmer u shpreh se Shtetet e Bashkaura të Amerikës do të japin një donacion prej 5 milion dollarësh për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri. Me anë të një njoftimi zyrtar, ambasada e SHBA në Tiranë tregon edhe mënyrën se si do të përdoren këto fonde. Ajo vë theksin te krijimi i një akademie transparente për mbikëqyrjen e donacioneve për rindërtimin.
Ambasada e SHBA: Matthew Palmer, Zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit për Byronë e Çështjeve Europiane dhe Euro-Aziatike shpalli kontributin e fundit prej afro 5 milionë dollarë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit, gjatë fjalës së tij sot në Konferencën e Donatorëve të Komisionit Evropian për Shqipërinë. Shuma do të shkojë për themelimin e një akademie transparence, e cila do të ndihmojë Shqipërinë për administrimin në mënyrë transparente dhe llogaridhënëse të donacioneve të pas tërmetit dhe fondeve të tjera publike; punën rimëkëmbëse dhe konservuese për monumentet kombëtare në Durrës, Krujë dhe Prezë; si dhe për mbështetjen e Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, e cila do të ndihmojë Kryqin e Kuq Shqiptar në ngritjen e një Qendre Operacionale Emergjencash për koordinim të bashkërenduar dhe më të theksuar në përgjigje të emergjencave të ardhshme