Eksperti i ekonomisë dhe financave Arben Malaj tregoi në studion e Ora News sfidat që ka Shqipëria pasi siguroi fondet për rindërtimin. Së pari, Malaj shprehu falënderimin për donatorët, ku sipas tij, edhe Kryeministri ka meritën për tejkalimin e grumbullimit të më shumë fondeve se sa ishte parashikuar nga Konferenca e Donatorëve.
Arben Malaj: BE dha një mesazh që i mungon Ballkanit; Europa është këtu, e organizuar në bazë të solidaritetit, ju jeni pjesa jonë. Shuma e arkëtuar, duhet vlerësuar donatorët por dhe Kryeministri. Zakonisht nuk arrihet shuma e kërkuar në konferenca e donatorëve. Është arritur të merren 400 milionë euro grante.
Më tej, Arben Malaj tregoi edhe sfidat që ka menaxhimi i fondeve të grumbulluara në Konferencën e Donatorëve. Sipas tij, sfida kryesore është menaxhimi efektiv i këtyre fondeve.
Arben Malaj: Shifra është më e madhe se nevoja. Gjithçka është pjesa e implemtimit. Ndërtimi i shtëpive është rreth 600 milionë euro. Sfida do të mbetet përgjegjësia në implementim dhe transparenca. Donatorët janë optimistë në fillim. Problemi do të nisë pasi vende të ndryshme kanë probleme të ndryshme. Puna më e vështirë do të jetë përdorimi efektivë i ndihmës. Strehimi është problemi kryesor, shëndetësia, arsimi, furnizimi me ujë etj.
Arben Malaj këshillon qeverinë, që menjëherë pas kësaj faze, të qartësojë procedurat për çdo donator. Sipas tij, duhet të përputhen nevojat për rindërtimin me prioritetet që kanë donatorët.
Arben Malaj: Ka probleme me të papunët, ka probleme me njerëzit që kanë humbur bizneset. Në këtë aspekt, sapo shifra të deklarohet, qeveria do të duhet të qartësojë procedurat e çdo donatori. Do duhet të përputhen prioritetet e rindërtimit me ato që kanë donatorët. Vende të ndryshme kanë përcaktuar prioritete të ndryshme. Koordinimi i donatorëve është një proces jo i lehtë.
Stabiliteti i financave publike nuk cenohet, pasi janë garantuar 400 milionë euro grante. Këto janë para që futen në ekonomi. Me këto para ekonomia shqiptare mund të ringrihet. Nëse rritja ekonomike do rritet sa duhet, do kompesojë edhe këtë deficit të vitit të kaluar.
/oranews/