Presidenti Ilir Meta ka falënderuar gjithë vendet që dhanë ndihma për përballimin e pasojave të tërmetit në Shqipëri.
Në një mesazh në Facebook, kreu i shtetit ka shprehur mirënjohjen për kontributin dhe solidaritetin e treguar me Shqipërinë.
“Përshëndes Konferencën e Donatorëve që po zhvillohet në Bruksel, në mbështetje të Shqipërisë, për kapërcimin e pasojave të tërmetit të nëntorit të vitit të kaluar, e njëkohësisht shpreh mirënjohjen e thellë për solidaritetin dhe kontributin e vendeve pjesëmarrëse dhe kontribuese”,- shprehet kreu i shtetit.
“Donacionet janë të bekuara”, Basha: Fondet të përdoren me përgjegjshmëri
Kreytari i Partisë Demokratike Lulzim Basha përshëndeti Konferencën e Donatorëve, që u mbajt në Bruksel, ku u mblodhën 1.15 miliardë euro për Shqipërinë. Basha i quajti të “bekuara” këto donacione, ndërsa i bën apel qeverisë që të fillojë punën për rindërtimin. Gjithashtu, Lulzim Basha kërkon që fondet të përdoren me përgjegjshmëri.
Lulzim Basha: Të gjitha donacionet ndërkombëtare për popullin shqiptar për dëmet e pas tërmetit të 26 nëntorit janë të bekuara dhe të mirëpritura. Falenderime dhe mirënjohje për çdo vend, çdo organizatë dhe çdo institucion ndërkombëtar që i gjendet pranë qytetarëve shqiptarë në këtë moment të vështirë.
Detyra jonë është të bëjmë gjithçka që këto kontribute të shërbejnë vërtet për ndihmë ndaj njerëzve në nevojë. Është e rëndësishme që të nisë menjëherë puna dhe fondet të përdoren me përgjegjshmëri dhe transparencë për të ndalur keqpërdorimin dhe abuzimin me to.
Monika Kryemadhi :Çdo euro ndihmë është e çmuar dhe duhet të administrohet me transparencë dhe përgjegjësi
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka shprehur mirënjohje për të gjithë vendet e botës, që u solidarizuan me Shqipërinë dhe dhuruan 1.15 miliardë euro për rindërtimin, pas tërmetit tragjik të 26 nëntori 2019.
Në një mesazh në Facebook, Kryemadhi shkruan se miqtë i qëndruan në krah Shqipërisë në këto momente të vështira. Sipas saj, tani është koha që kjo mbështetje t’u shkojë sa më parë familjeve të pastreha.
“Miqtë i qëndruan në krah Shqipërisë në këto momente të vështira. Mirënjohje për kontributin e tyre për të ndihmuar qytetarët shqiptarë dhe infrastrukturën e dëmtuar pas tërmeteve, që goditën vendin.
Tani është koha që kjo mbështetje t’u shkojë sa më parë, në radhë të parë familjeve që janë të pastreha. Miqve nga të gjitha anët e globit FALEMINDERIT që na u gjendët pranë. Çdo euro ndihmë është e çmuar dhe duhet të administrohet me transparencë dhe përgjegjësi të plotë. Solidariteti i treguar nga vendet mike dhe institucionet ndërkombëtare kërkon seriozitet dhe angazhim të gjithanshëm! Zoti ju bekoftë të gjithëve, ju dhe qytetarët tuaj! Ju faleminderit!”, shkruan Kryemadhi