Medvegja vazhdon të përballet me planet serbe për shpopullimin e shqiptarëve. Veprimtari i njohur dhe asambleisti komunal, Muharrem Salihu nuk ka të ndalur në parandalimin e këtij plani, por ai thotë se për këtë ka një mosveprim dhe heshtje nga shtetet shqiptare.
“Po përballemi me një akt jociviluzes që po zhbën identitetin tonë përmes pasivizimit të adresave. Kjo po kalon në heshtje të plotë, fillimisht nga politikanët shqiptarë në Serbi, dhe pastaj nga dy shtetet respektive, por edhe shqiptarët në Maqedoni.”, thekson Salihu.
Një veprim populist që anashkalon Medvegjën u vërejt edhe kohëve t fundit me trumbetimin e krijimit të listës së përbashkët për zgjedhjet parlamentare në Serbi, një marrëveshje që u arrit në mes të Tiranës, pa Medvegjën.
Salihu thotë se substanca shqiptare në Medvegjë është para zhbërjes së saj . “Kanë qenë dy forma përmes së cilave është vepruar. Njëra përmes ndarjes dhe rindarjes së territoreve shqiptare, kinse duke rregulluar apo rikorigjuar kufijt, apo forma tjetër që po aplikohet sot që është pasivizimi, si shkallë më anticivilizuese, por edhe forma tjera si imponimi i varfërisë, diskriminimi në punësim, evitimi i investimeve ku banojnë shqiptarët”, thekson afaristi i njohur medvegjas që erdhi nga Italia në mbrojtje të kësaj treve. Ai ka pasur takime të shumta me përfaqësues ndërkombëtar në Beograd dhe qendra ndërkombëtare. Salihu propozon ngritjen e një komisioni ndëkombëtar për parandalimin e zhbërjes së shqiptarëve nga ky vendbanim.(INA)