Botuesi, pedagogu dhe pronari i Universitetit Europian të Tiranës, Henri Çili, është arrestuar në orët e para të mëngjesit nga policia, bashkë me 12 persona të tjerë mes tyre edhe një biznesmen dhe drejtori Juridik i UET, I. Korbi.
Urdhër-arrestet për ndalimin e tyre janë lëshuar nga Prokuroria e Përmetit, pas një hetimi disamujor për korrupsion pasiv dhe aktiv në fushën e drejtësisë.
Ata janë dërguar fillimisht te Policia e Tiranës, ndërsa më pas Çili është transferuar drejt Gjirokastrës, ku po mbahet në komisariatin e Policisë Vendore të Gjirokastrës.
Arrestimet kanë ardhur pas hetimeve disamujore nga prokuroria e rrethit të Gjirokastrës dhe dyshohet se të arrestuarit ndikuan tek gjyqtarët për të liruar nga burgu disa persona.
Ka dyshime se gjatë hetimeve, Henri Çili ka komunikuar me babain e Arbion Alikos. Po ashtu dyshohet se Çili i mori shuma të konsiderueshme parash, apartament, dyqan dhe prona të tjera, babait të Alikos me premtimin që do të ndikonte në vendimin e gjykatës, për t’i nxjerrë të birin nga burgu.
Kryeprokurori, Olsian Çela, ka komentuar nga Vlora arrestimin e gazetarit të njohur dhe botuesit Henri Çili.
I pyetur nga Ora News, ai tha se arrestimi është fryt i reformës në drejtësi.
Çela: Puna e prokurorisë, frytet e prokurorisë së pavarur, zbatimi i ligjit, reforma në drejtësi, këto janë rezultatet.
Në lidhje me konfliktin Presidencë-Ministri e Drejtësisë ai u mjaftua me këtë koment.
Çela: Nuk ka lidhje me Prokurorinë. Pyesni ata që janë kompetent për tu marrë me këtë gjë.