Qeveria gjermane është goditur nga një prej sulmeve më të mëdha të hakerave në historinë e vendit. Autoritetet gjermane kanë zbuluar se të dhënat personale të presidentit Frank-Walter Steinmeier, Kancelares Angela Merkel, disa ministrave, deputetëve e gazetarëve të famshëm të mediave shtetërore e private janë grabitur nga kompjuterët dhe celularët dhe janë publikuar në internet. Sulmit i kanë shpëtuar vetëm kompjuterët e partisë nacionalistë Alternativa për Gjermaninë.
Qendra Shtetërore Gjermane e Mbrojtjes nga kërcënimet kibernetike lëshoi alarmin e krizës dhe zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme.
“Kemi të bëjmë me një sulm tepër serioz. Njerëzit që fshihen pas këtij sulmi duan të dëmtojnë besimin tek demokracia dhe institucionet tona”, tha ministrja gjermane e Drejtësisë.
Dyshimet janë të forta se sulmi është kryer nga shërbime sekrete të huaja, edhe pse hetuesit gjermane ende nuk kanë përcaktuar qartë se nga mund të jenë kryer. Ajo që bie në sy është se politikanët dhe gazetarët e mediave shtetërore si ARD e ZDF mbështesin politikat liberale, çka ngre dyshimet se hakerët mund të jenë mbështetës të rrymave të djathta radikale