Komisioni Europian vlerësoi pozitivisht përparimin e Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë në procesin e reformave dhe përsëriti rekomandimin që të dy vendet të hapin negociatat e pranimit me BE.
Dokumenti, thotë se Maqedonia Veriore dhe Shqipëria kanë rritur përpjekjet e tyre dhe kanë treguar rezultate të mëtejshme të prekshme dhe të qëndrueshme në fushat kryesore.
“Në përputhje me rrethanat, bazat për Rekomandimin e Komisionit 2019 për të hapur negociatat e pranimit me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë janë akoma të vlefshme,” thuhet në një dokument të Komisionit Evropian.
Raporti Special për Shqipërinë tregon se vendi ka treguar rezultate konkrete në zbatimin e vazhdueshëm të reformave të kërkuara nga BE-ja.
“Veçanërisht në lidhje me fushat e identifikuara në Konkluzionet e Këshillit të BE-së, përparimi është bërë si më poshtë: përmirësimi i mëtutjeshëm i procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në veçanti plotësimi i të gjitha dosjeve prioritare”, thuhet në dokument.