Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas mitingut të thirrur nga presidenti, duke e cilësuar shpërthimin e Metës si një minë e programuar. Rama deklaroi për median se presidenti nuk mund të ta shpërndajë Parlamentin.
“Sot Komisioni Europian ka dhënë rekomndimin për hapjen e negocitave të Shqipërisë. Komisioni i Ri përforcon rekomandimin e Komisionit të vitit të shkuar, ky është lajmi për mua sot. Ka edhe një koicidence, shkojmë në Bruksel marrim mbështetje të jashtëzakonshme, ndërsa një President që s’ka asgjë, shpërthen përpara jush si një minë e programuar. Sot në Bruksel del një raport që një president të Republikës duhet ta gëzonte. Unë qesh sepse në fakt është për të qarë, për mua është diçka krejtësisht e pritur”, tha Rama.
Por kryeministri ka dhënë edhe një koment në lidhje me kërcënimet e presidentit për shpërndarjen e Parlamentit.
“Presidenti nuk mund të firmosë dekrete të tilla, ndërsa Ilir që s’ka asgjë të lidhur me presidentin, por sot ai mund të firmosë dekret që ti shpallë luftë edhe SHBA-ve. PD u kthye sot në një servis figurantësh për presidentin”, deklaroi Rama.
Komentet kryeministri i bëri pas mbledhjes së Kryesisë, nga selia e PS-së. Ndërsa më herët mbajti një postim në rrjetet sociale sa i përket vendimit të Komisionit Europian për rekomandimin për çeljen e negociatave.
“Komisioni i Ri Europian, jo vetëm rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë, por rikonfirmon duke e përforcuar, rekomandimin e Komisionit paraardhës, vitin e shkuar! Kjo do të thotë se Shqipëria i kishte kryer dhe ka vazhduar t’i kryejë me sukses detyrat e shtëpisë për hapjen e negociatave. A i hap apo nuk i hap Këshilli Europian negociatat paskëtaj, kjo është POLITIKË dhe u takon vendeve anëtare të vendosin, jo Shqipërisë! A e gjejnë apo nuk e gjejnë vendet anëtare konsensusin e nevojshëm për t’i dhënë Shqipërisë ATË që i takon, kjo varet nga sa arrinë ato të harmonizojnë interesat e përveçme me interesin e përgjithshëm! Hapen nuk hapen negociatat në mars, në qershor, në tetor apo në dhjetor, të këtij a të vitit tjetër apo të tjetrit pas tjetrit, kjo nuk është në dorën tonë po në duart e 27 vendeve anëtare të BE-së!”, shkruan Rama në Facebook./h.e.