Në ambientet e Akademisë së Shkencave u zhvillua sot veprimtaria shkencore jubilare në 75-vjetorin e lindjes së poetit Xhevahir Spahiu, “Shenja e një breznie”.
Veprimtaria shkencore u zhvillua nga Komisioni i Artit dhe Trashëgimisë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Qendrën Kombëtare të Leximit, në nder të poetit Xhevahir Spahiu, me rastin e 75-vjetorit të lindjes, nën titullin “Shenja e një breznie”.
Skënder Gjinushi, kryetari i Akademisë së Shkencave, gjatë fjalës së mbajtur u shpreh se në përvjetore të tilla është vështirë të gjesh fjalët për të pasqyruar e dalluar me pak rreshta një jetë të tërë, një veprimtari 60-vjeçare, të shquar e të papërtuar, të një prej zërave më të fuqishëm të poezisë shqipe.
“Në përvjetore të tilla është vështirë të gjesh fjalët, si për të mos rënë në përshëndetje standarde që rasti të kërkon, ashtu dhe për të përballuar barrën, për të vlerësuar siç e meriton, për të pasqyruar e dalluar me pak rreshta një jetë të tërë, një veprimtari 60-vjeçare, të shquar e të papërtuar, të një prej zërave më të fuqishëm të poezisë shqipe. Ndër vargjet e tua ti shprehesh “se koha vrapon, vrapon si lumë”, dhe pastaj bën pyetjen e vështirë: “Ditës ç’i dhe e ajo çfarë të dha? Po 60-vjet me veprimtari si ka dhënë Xhevahir Spahiu?! Pikërisht, ti Xhevahir, je ndër ata që çdo ditë, e çdo dite, për 60 vjet i dhe talentin tënd, shpirtin tënd, krijimtarinë tënde të vyer, për të cilën ne kolegët e tu të falënderojmë e krenohemi që je pjesë e përfaqësues i denjë i kësaj Akademie”, – tha Gjinushi.
Sipas kryetarit të Akademisë së Shkencës, veçantia e Xhevahir Spahiut mbetet tek fakti se ai nuk është konformist, pavarësisht rrethanave dhe sistemit.
“Nëpërmjet kësaj pune krijuese 60-vjeçare, ti Xhevahir, more e mbajte mbi supe peshën e rëndë të të qenit Kryeshenjë e një breznie. Kryeshenjat nuk vijnë për nevojë të disa lexuesve, shijeve a si rrjedhojë kalimtare, ato janë urdhërime të kohës. Këtë mision nuk e kryejnë thjesht të talentuarit por të mbitalentuarit, Kur brezi yt, që ti përfaqëson, hyri në jetën letrare shqiptare, një brez tjetër, ai i viteve ’60, me Kadarenë, Agollin, Arapin, Qiriazin etj., kishin krijuar tashmë një shkëlqim të ri për letrat shqipe, i cili, shkaktonte një eklips të mundimshëm për gjithkënd, ndërkohë Camaj në Perëndim, Shkreli e Podrimja në Kosovë kërkonin hisen e tyre të diellit”, – u shpreh Gjinushi.
“Ka qenë kjo padyshim, një nga bashkëjetesat e ndërthurjet më të vështira midis dy breznive letrare. Por siç dihet, eklipset fshehin përkohësisht ndriçimin e yjeve, por në asnjë moment nuk ndalin rrezatimin e tyre. Yjet e kanë garën me njeri tjetrin. Dhe ti, e brezi yt, u bëtë një pjesë e ndriçimit të letërsisë shqipe, duke plotësuar kështu spektrin e saj me dritën e ngjyrat tuaja. Ti nuk more flamur në dorë e as deshe ndonjë protagonizëm zyrtar, por bëre letërsi duke i thënë bashkëkohësve: Kështu bëhet letërsia ndryshe. Pa krijuar keqkuptim, e tepruar me meritat, për hir të 75-vjetorit, s’po themi se poezia ndryshe që shkruajte ti, poezia jote, ishte ndryshe edhe në përqasjen ideologjike, pasi kjo çështje s’ka vend për t’u prekur sot në ditë gëzimi, se do të kujtonte shumë telashe e andralla, të kohëve të shkuara. Por rrotullimi që ju i bëtë poezisë shqipe, ishte ndryshe, ishte i veçantë”, – tha Gjinushi.
“Ju zëvendësuat madhështinë e maleve me brishtësinë e vajzës, heroiken e legjendave me mundimet shpirtërore të De Radës, mitet sunduese të një letërsie të re që pretendonte të ishte objektiviste, me metafizikën e shpirtit njerëzor, me fërshëllimën e njeriut të zakonshëm “me një gjeth në buzë”. Ti mbete i veçantë se nuk je konformist, në çdo rrethanë e sistem”, përfundoi Gjinushi.