“Amnistia e përgjithshme fiskale dhe penale do të rrisë shumë kapacitetin ekonomik të gjithë individëve që kanë kursime por do të jetë edhe një kontribut i madh për ekonominë e vendit”.
Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama, në një takim me banorë të Shijakut, ku u diskutua mbi programin e Rindërtimit.
“Ne po bëjmë gati edhe amnistinë e përgjithshme fiskale dhe penle për të gjitha kursimet në të zezë të gjithë emigrantëve që kanë 30 vite që punojnë e kursejnë, që t’i fusin në bankë dhe t’i formalizojnë duke mos patur frikë të sjellin në Shqipëri lekë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se përjashtohen kategorikisht paratë që vijnë nga krimi, si dhe të politikanëve me familjet e tyre, gjyqtarëve me familjet e tyre, prokurorëve dhe familjeve të tyre punonjësve të policisë dhe kryetarëve të bashkive me familjet e tyre.
“Këta nuk do të kenë shancin të përfitojnë nga amnistia për të pastruar para që vijnë nga korrupsioni. Gjithë të tjerët do të ftohen të fusin paratë në banka dhe do të kenë garanci të plotë se askush, asnjëherë nuk do kthehet mbrapa veç në rastin kur rezultojnë para politikanësh apo krimi”, tha Rama.
Me këtë masë, sipas tij “rritet shumë kapaciteti ekonomik i gjithë individëve që kanë kursime”.
“Sot nuk shkon dikush që ka kursime nga puna në emigracion apo para të padeklaruara nga biznesi i vogël apo i madh të shkoj të marri diçka nga banka, apo t’i fusë në bankë. Kjo do të jetë me një afat të caktuar. Të gjithë duhet ta shfrytëzojnë se kush nuk i formalizon paratë nuk mund të thotë nuk e dija kur të ketë të njëjtin trajtim si ata që janë subjekt i OFL-së. Nuk jepet mundësi amnistie për ata që i kanë paratë nga krimi, por për ata që i kanë nga puna për 30 vite, në një ekonomi që në 10 vitet e para nuk kishte as banka”, tha Rama.
Ai theksoi se amnistia është një shtysë e fortë për familjet, mundësi e madhe për emigrantët dhe kontribut i madh për Shqipërinë. Paratë do të futen në bankë ligjërisht dhe me një komision shumë të ulët që do të shërbejë për ekonominë e përgjithshme dhe ne do të bëjmë investime”, tha Rama, ndërsa shtoi se “fokusi ynë është ekonomia”.
“Jemi marrë shumë me politikën dhe të tjera tema, por kemi vendosur tani për t’u marrë vetëm me ekonomi dhe për të bërë të mundur një ndryshim të madh ekonomik. Nuk po ju them se do të bëhemi të dytët pas Gjermanisë, por zhvillim brenda potencialit tonë”, shtoi ai.