Bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë përcaktimin e kufijve ose krijimin e shteteve të reja, kjo epokë ka mbaruar, shkruan “Al Jazeera Balkans”
Lajmin e hapjes së kufirit shqiptaro-kosovar përfaqësuesit e autoriteteve në Serbi e kanë pritur me ankth, duke e shpallur atë si fillimin e “Shqipërisë së Madhe” ose duke e interpretuar menaxhimin e përbashkët të kufirit si aneksimin e Kosovës.
Sipas analistëve, kjo është e pakuptimtë, pasi vetë akti u ekzagjerua nga politikanët në Serbi.
Kalimi kufitar midis Shqipërisë dhe Kosovës është thjeshtësuar dhe policia e të dyja vendeve në të ardhmen do të kryejë kontrollin e mjeteve dhe të pasagjerëve së bashku.
Rregullat e reja në kufirin Shqipëri-Kosovë, thonë analistët, do të thotë se qytetarët dhe mallrat shumë më lehtë dhe më shpejt do të kalojnë kufirin dhe kontrolli do të kryhet mbi parimin: “Një ndalesë, një kontroll”.
Është njoftuar se hapa shumë më të rëndësishëm do të merren së shpejti për të vendosur standarde plotësisht evropiane në kufirin e Shqipërisë dhe Kosovës.
Eliminimi i plotë i kontrollit kufitar
Kryeredaktori i së përditshmes së Kosovës “Zëri”, Lavdim Hamidi, beson se politikanët në Serbi e kanë ekzagjeruar këtë çështje, pasi që disa vite me radhë, kryesisht gjatë muajve të verës kur ka fluks të madh të qytetarëve të Kosovës drejt bregdetit shqiptar ose malazez, i nënshtrohen vetëm një kontrolli të dokumenteve, përkatësisht në hyrje të Shqipërisë kontrollohen nga autoritetet shqiptare, ndërsa në hyrje të Kosovës nga ato kosovare.
E gjithë kjo, thekson Hamidi, me qëllim të shmangies së pritjeve të gjata në kufi dhe shton se “zyrtarët e institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë më herët kishin premtuar se në fund të vitit 2018 do të hiqen plotësisht kontrollet kufitare mes dy vendeve, por si duket për shkak të presioneve nga Bashkimi Evropian një gjë e tillë nuk ka ndodhur”.
“Në fund të vitit 2018 u arrit marrëveshja vetëm për kontrolle të përbashkëta, por jo edhe për eliminimin e plotë të kontrolleve në kufi, siç kishin premtuar politikanët e të dyja vendeve. Megjithatë, përsëri u premtua se në një të ardhme jo të largët do të ndodhë eliminimi i plotë i kontrolleve në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, ashtu siç ka ndodhur vite më parë me kufijtë e Evropës, ku Kosova dhe Shqipëria synojnë të anëtarësohen. Pra, ju nuk mund të hasni në kufi mes shteteve të Evropës, siç ndodh te ne në Ballkan dhe një eliminim i tillë i kontrolleve kufitare nuk do të thotë bashkim i Kosovës me Shqipërinë, pasi që një gjë e tillë është e ndaluar edhe me Kushtetutën e Kosovës”, thotë Hamidi për “Aljazeera”-n.
Fundja, pavarësisht mosmarrëveshjeve që kanë pasur shtetet e BE-së në periudha të ndryshme kohore, rikujton ai, ato kanë hequr kufijtë dhe “një praktikë të tillë duhet ta ndjekin edhe shtetet e Ballkanit, që synojnë të bëhen pjesë e Evropës”.
Tomislav Markoviq, gazetar dhe shkrimtar nga Serbia, tha për “Aljazeera”-n se reagimet dhe akuzat nga disa politikanë në Serbi me rastin e këtij lajmi janë të pakuptimta.
“Është e pakuptimtë për shkak se Kosova është një shtet i pavarur, që Shqipëria e ka njohur. Për Shqipërinë, si dhe në pjesën më të madhe të botës së qytetëruar Kosova nuk është pjesë e Serbisë (siç edhe de facto nuk është dhe kjo është në saje të vetë Serbisë), kështu që për një lloj aneksimi të Kosovës as që bëhet fjalë. Askush nuk mund të ju aneksojë pjesë të territorit që vetëm ju i konsideroni pjesë të vendit tuaj dhe në fakt është një shtet i pavarur. Të gjitha këto histori për krijimin e një ‘Shqipërie të Madhe’ nuk kanë shumë kuptim për shkak se bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë vizatimin e kufijve të rinj në Ballkan, për shkak se ajo do të ishte e pamundur pa luftë, kështu që kurrfarë përcaktimi kufijsh nuk do të ketë, as krijim të shteteve të reja. Kjo epokë ka përfunduar. Tani duhet ndjekur kohën e integrimit dhe zhvillimit të vendeve të Ballkanit Evropian. Kjo është ajo që duhet të jetë prioritet për përfaqësuesit tanë politikë, për këtë janë zgjedhur, për këtë punë ata paguhen dhe jo që vazhdimisht të ngrenë çështjen e territorit”, thekson Markoviq.
Republika Serbe në frymën e Dobrica Qosiqit
Ai shpreson se në të ardhmen “të gjitha shtetet e rajonit tonë të pafat do të hyjnë në Bashkimin Evropian, në mënyrë që çështja e kufijve do të bëhet e parëndësishme dhe njerëzit do të lëvizin lirshëm, pa procedura të mundimshme burokratike”.
“Në përgjithësi, në perspektivën e integrimit evropian çdo hapje e temës së çështjes kufitare duket mjaft komike me kusht që këto vendet tona me të vërtetë duan të hyjnë në Bashkimin Evropian dhe për këtë ne nuk mund të jemi mjaft të sigurt, megjithatë – nuk ka rrugë tjetër, herët a vonë Serbia, Shqipëria dhe Kosova do të gjenden në bashkësinë e kombeve evropiane dhe do t’u duhet të lënë pas të gjitha çështjet e demarkacionit dhe obsesionet territoriale. Pas disa shekujve të luftërave rreth kufijve ndoshta është koha që kombet tona t’u kthehen çështjeve të tjera”, mendon Markoviq.
I pyetur se si të shpjegohet përmendja e etnitetit të Bosnjës dhe Hercegovinës, Republika Serbe, në kuadër të hapjes së kufirit shqiptaro-kosovar, Markoviq thotë se, para së gjithash, kjo paralele nuk qëndron, sepse Republika Serbe është entitet brenda shtetit të quajtur Bosnjë dhe Hercegovinë.
“Serbia e njeh BeH si një shtet (siç Shqipëria e njeh Kosovën) dhe jo Republika Serbe, kështu që nuk mund të tërhiqet paralele. Qarqet nacionaliste në Serbi shpesh RS-në e shohin në frymën e Dobrica Qosiqit, si të vetmen fitore të Serbisë në luftërat e viteve të nëntëdhjeta, megjithatë ka prej atyre që presin bashkimin e Serbisë me RS-së. Disa muaj më parë historiani dhe zëvendëskryetari i Partisë Socialiste të Serbisë, Predrag J.Markoviq, në Kongresin e SPS-së të Republikës Serbe në Banja Llukë ka thënë: “Ka një kufi, i cili është i përkohshëm. Milorad Dodik, presidenti i RS-së, me të gjithë neve do të përpiqet ta fshijë atë”, duke menduar në kufirin e lumit të Drinës.
Kur aktualizojnë këtë çështje nacionalistët serbë i dërgojnë mesazh Evropës, “Ja dhe ne jemi në gjendje të destabilizojmë rajonin nëse është e nevojshme, por jo për shkak se nuk ia vlen. Së paku për tani. E gjithë kjo i përket praktikës tashmë tradicionale për të bërë mjegull dhe për të tërhequr vëmendjen nga problemet reale, si varfëria, prapambetja, zhvillimi i ngadalshëm ekonomik e çrregullimi i përgjithshëm i shoqërisë”.
Kërcënimet me pushkë të zbrazët
Gjithmonë, thotë ai, më lehtë dhe më përshtatshëm u duket të merren me çështjet e kufijve dhe të territorit se të bëjnë punën e tyre dhe kjo është afrimi i vendit më pranë Bashkimit Evropian, duke siguruar sundimin e ligjit dhe përmirësimin e standardit të jetesës.
“Këto janë të gjitha kërcënime me pushkë bosh, pasi ka përfunduar historia e kufijve dhe territoreve, kurrfarë ndryshimesh në këtë aspekt nuk mund të ketë. Pyetja e vetme është se sa kohë qytetarët do të lejojnë që autoritetet t’i shqetësojnë me probleme të rreme dhe kur ata do të fillojnë të bëjnë presion mbi përfaqësuesit e tyre politikë të zgjedhur që të fillojnë të merren me punën e tyre dhe të zgjidhin çështjet që kanë të bëjnë me jetën e përditshme”. Hamidi përsërit se kjo çështje është ekzagjeruar nga politikanët në Serbi dhe normalisht nga presidenti i Republikës Serbe në Bosnjë, Milorad Dodik.
“Kjo asgjë nuk ka të bëjë me bashkimin e Kosovës me Serbinë e as me Shqipërinë e Madhe, por një propagandë e tillë ndodh pikërisht nga politikanët e shtetit fqinj, i cili ka pretendime territoriale ndaj shteteve tjera”, thotë ai dhe konkludon se kjo marrëveshje midis Shqipërisë dhe Kosovës duhet të shihet si një hap i rëndësishëm në lirinë e lëvizjes, jo në unifikimin e të dyja vendeve.
Kryeministri shqiptar Edi Rama në mesazhin e tij të Vitit të Ri tha se hapja e kufirit me Kosovën është vetëm fillimi dhe se planifikohet e njëjta procedurë kur bëhet fjalë për Malin e Zi, Maqedoninë dhe Greqinë. (Al Jazeera Balkans)