Politika sot ka uruar 8 marsin. Presidenti Meta, kryeministri Edi Rama, kryeparlamentari Gramoz Ruçi dhe kreu i PD, Lulzim Basha kanë përcjellë urimet e tyre.
Kreu i Shtetit në një postim në Facebook thotë se Shqipëria do të bëhet një vend edhe më i bukur, vetëm me vajza e gra të lumtura e të realizuara në çdo aspekt.
Urimi i Presidentit Meta: Sot është vetëm një ditë simbolike, por e gjithë jeta e marrë së bashku nuk do mjaftonte për t’ju shprehur me përulje mirënjohjen më të pakufishme për dashurinë, përkushtimin dhe sakrificat e jashtëzakonshme për familjen e ngrohtë, shoqërinë e zhvilluar dhe begatinë e vendit.
Fuqizimi i vajzave dhe grave i bën sfidat më lehta! Por ne ende kemi një hendek të rëndësishëm për të kapërcyer për t’i vënë përgjithmonë në histori vargjet e Çajupit, i cili protestonte ndaj burrave.
Shqipëria do të bëhet një vend edhe më i bukur, vetëm me vajza e gra të lumtura e të realizuara në çdo aspekt, të barabarta me burrin si në jetën publike ashtu edhe atë profesionale, dhe që nuk keqpërdoren nga politika.
Duhet të çlirojmë potencialet e vërteta dhe të plota të vajzave dhe grave të Shqipërisë, që të ndalim shpopullimin e Atdheut dhe degradimin e familjes.
Lidershipi i tyre do të ndihmojë që Shqipëria të bëhet e shkëlqyeshme dhe frymëzuese për fëmijët dhe të rinjtë tanë.
Një falenderim të veçantë kam sot edhe për dhjetëra mijëra nëna, gra dhe të reja, të cilat ju bashkuan më 2 mars PRANVERËS KUQEZI, duke i dhënë me energjinë dhe vitalitetin e tyre më shumë forcë zërit të sovranit.
Bekuar qofshin vajzat e gratë shqiptare kudo në botë!
Edi Rama e ka nisur këtë mëngjes me një urim, duke publikuar një video të pjesëmarrjes së grave në qeveri.
“Mirëmëngjes me një urim të përzemërt të gjitha grave e vajzave shqiptare, që janë gjysma me e mirë e këtij populli”, shkruan Edi Rama.
Ndërsa kreu i PD, Lulzim Basha në facebook shkruan: “Mëngjesi sot nisi me një urim nga familja jonë për të gjitha vajzat dhe nënat shqiptare: GËZUAR 8 MARSIN!”
Urim ka përcjellë edhe Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili thotë se gratë dhe vajzat janë ende të diferencuara nga pjesa tjetër e shoqërisë.
Urimi i Gramoz Ruçit: Krahas proceseve demokratizuese, shoqëria shqiptare është përfshirë gjatë dekadave të fundit në një proces emancipimi shoqëror e gjinor. Por emancipimi gjinor është ende prapa shkallës së demokratizimit të shoqërisë. Ne kemi rezultate më të larta se BE në indeksin gjinor në fushën e qeverisjes, por nuk mund të themi të njëjtin konstatim për aspektet e tjera të barazisë gjinore. Indeksin e përgjithshëm të Barazisë Gjinore e kemi 7 pikë më poshtë se mesatarja e BE. Barazia gjinore duhet të jetë në radhë të parë në aksesin në tregje dhe pjesëmarrjen ekonomike. Dhe pjesëmarrja ekonomike është në radhë të parë pjesëmarrja në forcën dhe në tregun e punës. Gratë dhe kanë akses të pamjaftueshëm në treg. Segmentimi dhe segregimi gjinor në tregun e punës mbetet një problem për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. Shkalla e punësimit për gratë e vajzat është rreth 15 përqind më e ulët se e burrave, hendeku gjinor i pagave është në kufijtë 10 përqind. Gratë dhe vajzat janë më të privuara në aksesin në burime, njohuri dhe shfrytëzimin e kohës si edhe pajtimin e veprimtarisë profesionale me jetën familjare. Dhuna ndaj grave e vajzave që konstatohet gjatë dekadave të tranzicionit ndodh për shkak të rigjallërimit të demonëve të vjetër autoritarist e maskilist, por edhe për shkak të edukimit, vëmendjes, kontrollit dhe më të pakët të shoqërisë. Këto çështje duhet të bëhen më shumë objekt i politikave, edukimit dhe ligjeve tona”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Me rastin e 8 marsit, Ditës Ndërkombëtare të gruas, një urim vjen edhe nga Avokati i Popullit.
Urimi i Avokatit të Popullit: 8 marsi është vetëm një ditë simbolike në betejën e përditshme gruas kudo në botë për të tejkaluar barrierat gjinore dhe për t’u vlerësuar denjësisht për kontributin dhe meritat e saj.
Në Shqipëri, sfidat me të cilat përballen gratë dhe vajzat janë të shumta. Nga të drejtat për shkollim dhe punësim, të drejtat në vendin e punës, dinjiteti në familje dhe shoqëri, përfaqësimi meritor politik, etj.
Avokati i Popullit vlerëson se arritja e barazisë gjinore duhet të jetë një mision jo vetëm i grave dhe vajzave po i gjithë shoqërisë. E gjithë shoqëria është përfituese nga barazia mes burrave dhe grave ndaj 8 marsi nuk duhet të kufizohet vetëm në solidaritetin midis grave por mes gjithë anëtarëve të shoqërisë sonë. Edhe një herë, gëzuar 8 marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas./oranews