Ministrja e Financave, Anila Denaj e ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora ka folur për impaktin në ekonomi që mund të shkaktojë koronaviorusi, i cili tashmë zyrtarisht ka prekur edhe Shqipërinë.
Sipas saj edhe pse nuk jemi në një situatë emergjente, qeveria ka gati edhe skenarin pesimist, nëse kjo situatë do të zgjasë më shumë se 3 javë edhe në vendet fiqnje, siç është Italia dhe Greqia.
Anila Denaj: Ne nuk jemi në situatën e emergjencës. Sot është vendosur që të limitohen fluturimet nga zonat e kuqe, por jo në të gjithë zonat. Nuk është e sugjeruar nga OBSH mbyllja e kufijve, si një masë që do të pengonte zhvillimin e kësaj sëmundje. Shkëmbimet tregtare me Italinë dhe Greqinë janë të rëndësishme. Nuk mund të them që janë bërë problematike, për të identifikuar pasojat në ekonomike, por ne nuk jemi imunë. Do të ketë ndikim në varësi të kohës që do të zgjasë kjo periudhë. Nëse kjo periudhë do të zgjasë më tej sesa ne do të dëshironim, kur flasim për një periudhë të synuar për të tejkaluar është periudha e 2-3 javëve të ardhshme. Edhe ne kemi marrë masa kemi bërë disa skenarë dhe skenarin pesimist, por duhet të masim ditë pas ditë kush është situata. Nuk jemi në situatë emergjente dhe nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë sot, do ketë nëse kjo situatë zgjerohet në vendet fqinje edhe në aspekt kohe, por edhe në aspekt impakti.